Zyrtarët në Afganistan kanë thënë se dhjetë civilë janë vrarë nga sulmet ajrore të forcave të sigurisë. Në mesin e viktimave ka gra dhe fëmijë.
Në njërin incident, Abdol Aziz Beg, kryetar i këshillit provincial në provincën perëndimore të Badghis-it, tha se sulmuesit e kishin rrethuar një bazë ushtarake në këtë zonë, ndërsa forcat e sigurisë përpiqeshin t’i gjenin sulmuesit përmes helikopterëve.
Por ky zyrtar tha se sulmuesit e armatosur qëllonin me armë zjarri nga pozitat e tyre në fshatrat përreth, duke e vështirësuar kthimin e forcave të sigurisë dhe duke i vënë në rrezik civilët në rast të sulmit nga forcat afgane.
Ai shtoi se tre fëmijë dhe dy gra janë në mesin e viktimave të sulmeve ajrore, nga të cilat u vranë dhjetë persona dhe u lënduan dy të tjerë.
Luftëtarët talibanë, të cilët besohet se e kontrollojnë rreth gjysmën e territorit të Afganistanit, kanë publikuar në Twitter fotografi të fëmijëve të vdekur, për të cilët thanë se janë vrarë nga sulmet ajrore në Badghis, shkruan “Free Europe”.