Hong Kongu është nën masa të rrepta të sigurisë pasi dhjetëra mijëra persona po protestojnë të dielën kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryetares dhe zbatimin e reformave.
Protestat masive filluan para disa javësh, fillimisht për shkak të një projektligji për ekstradimin e qytetarëve në Kinë, por tashmë protestuesit kanë paraqitur edhe kërkesa të tjera lidhur me sistemin e demokracisë.
Para se të mbahej kjo protestë, policia kishte gjetur sasi të madhe të mjeteve shpërthyese dhe mjete të tjera të rrezikshme, bashkë me disa fletushka ku bëhej thirrje për protestë.
Të shtunën, shumë njerëz protestuan në përkrahje të policisë dhe kundër dhunës në protestat kundër qeverisë. Në këtë protestë morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz.
Ish-kolonia britanike është pjesë e Kinës, por qeveriset me sistemin “një shtet, dy sisteme”, i cili garanton një shkallë të caktuar të autonomisë. Hong Kongu e ka sistemin e vet të drejtësisë, që është i pavarur nga Pekini.
Kjo është fundjava e shtatë me radhë e protestave masive. Në secilën protestë ka pasur numër të madh të njerëzve dhe duket se kryengritja nuk do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër ose deri në plotësimin e kërkesave të protestuesve, shkruan “BBC”.