Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të thirrjes sërish në Gjykatën e Hagës, mediet e Kosovës publikojnë lajmin se do të mbahen zgjedhje të parakohshme në 8 shtator. Mediet citojnë burime brenda Presidenvës.
Radio-Televizioni Publik i Kosovës bën me dije: “Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen më 8 shtator, mësohet nga burime brenda Presidencës së Kosovës. Sipas këtyre burimeve të RTK-së, Presidenti Thaçi ka vendosur që, në përputhje me afatet kushtetuese e ligjore, të shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme e të cilat do të mbahen me 8 shtator. Sipas interpretimeve ligjore, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë. Por, kjo vlen për datën pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Këtë herë nuk kemi të bëjmë me konstituimin të ri të Kuvendit, prandaj nuk është e qartë nëse këto afate vlejnë edhe për këto rrethana.”
Sot ka reaguar sërish Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”, duke shkruar: “Faleminderit të gjithëve. Jeni shumë që më përkrahët këto ditë. Nuk jam ndier vetëm asnjëherë! Tregun për njohje, e jo ndarjen e Kosovës e as Dodik Republikë në Kosovë!RH”
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen ditë më parë nga kreu i ekzekutivit. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri i cili shpjegoi edhe arsyet në një dalje publike duke theksuar se shkak është bërë një thirrje nga Gjykata e Hagës e cila e ka ftuar për tu marrë në pyetje si i dyshuar.
“Sapo e informova qeverinë , kam dhënë dorëheqje të parevokueshme prej funksionit të kryetarit të Qeverisë. Arsyeja është se jam ftuar që të intervistohem si i dyshuar nga dhomat posaçme të Gjykatës së Specializaur”-deklaroi Haradinaj.
Ai ka treguar se para Gjykatës Speciale do të paraqitet, duke shtuar se në Hagë nuk mund të shkojë si kryetar i Qeverisë por si një qytetar i Republikës së Kosovës.
“Javën tjetër do ta kem intervistimin, dhe kam vlerësuar se atje nuk mund të paraqitem si kryetar i Qeverisë, por si një qytetar i Kosovës. Për me e ruajt nderin e kryetarit të Qeverisë edhe të shtetit, kam menduar se është e drejtë me e marrë këtë vendim”- tha Haradinaj, raporton Gazeta Express.
Kryeministri tashmë në largim, ka thënë se Kosova është një shtet me kufij të paprekshëm.
Ndër të tjera ka thënë se do të respektojë aspektin ligjor të Gjykatës Speciale.
“Do të kryej detyrat e mia, do ta mbrojë Kosovën si luftëtar i vendit tim. Ndërsa pjesa politike, është shumë gabim që po i kërkohet Kosovës një çmim i papërballueshëm për arritjen e një marrëveshje. Mendoj se është e gabueshme prej lidershipit të Kosovës me ofru oferta të gabueshme, duhet të bëhët kujdes”-shtoi më tej ai.
Haradinaj ka treguar që Qeveria e tij do t’i kryejë punët deri në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se tashmë detyrimet i kalojnë presidentit të vendit.
“Tani përgjegjësia kalon te presidenti, me i fillu konsultat dhe me e caktu datën e zgjedhjeve”, ka treguar Haradianj./Hashtag.al