Sikurse Exit.al e ka shkruar më parë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) vendosi sot të krijojë Gjykatën e Lartë ‘ambulante’. Në vendimin e marrë unanimisht nga anëtarët e saj, KLGJ do të transferojë përkohësisht gjyqtarë nga shkallët më të ulta drejt Gjykatës së Lartë, me justifikimin për të zhbllokuar ngërçin e krijuar nga mungesa e kësaj gjykate.
“Problematikë është shqyrtimi mbi kompetencat mes gjykatave; Pamundësia e shqyrtimit të çështjeve civile me objekt rekursi persa i përket sidomos ankimeve të individit, por edhe ankimeve të shtetit që dëmtojnë buxhetin e shtetit. Problematikë është edhe ‘eksodi’ i çështjeve që mund të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut ne rast mos funksionimi vazhdues të Gjykatës së Lartë”, u shpreh Maksim Qoku nënkryetar i KLGJ.
Përbërja e Gjykatës së Lartë tashmë do jetë me anëtarë jashtëgjyqësorit të cilët nuk do i nënshtrohen procesit të vetingut dhe gjyqtarë të transferuar nga gjykatat më të ulëta që mbetet e paqartë nëse do kalojnë në veting.
KLGJ duhet të kishte nisur procedurat 7 muaj më parë për krijimin e Gjykatës së Lartë. Që prej krijimit të KLGJ-së në dhjetor të kanë kaluar rreth 7 muaj, gjatë të cilave KLGJ nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të krijuar GJL.
Kështu KLGJ për shkak të paaftësisë së saj për të krijuar Gjykatën e Lartë, ka vendosur të ndërmarrë këtë zgjidhje ekstra ligjore duke cenuar Kushtetutën dhe ligjin.
Exit.al ka qënë media e parë që ka shkruar mbi propozimin antikushtetues dhe antiligjor të Euralius, sipas të cilit KLGJ mund të transferonte gjyqtarët e shkallëve më të ulëta në Gjykatën e Lartë përkohësisht deri në emërimin e anëtarëve të rinj të saj.
Ky propozim u hartuar nga eksperti i misionit EURALIUS V, Klodian Rado, i cili është njëkohësisht kandidat për anëtar të Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektor të Lartë të Drejtësisë (ILD), dhe kandidatura e tij aktualisht po shqyrtohet nga i njëjti KED që ai këshillon si ekspert i EURALIUS-it.
Ndërkohë pak javë më parë Presidenti Meta i kërkoi informacion Këshillit të Lartë Gjyqësor, për vonesat në plotësimin e vendeve në Gjykatë të Lartë.
Presidenti Meta në kërkesën e tij kritikoi KLGJ-në për shkeljen e afatit për plotësimin e vendeve bosh në GJL. Sipas tij KLGJ duhet të kishte filluar tashmë me procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve jogjyqtar të Gjykatës së Lartë dhe mungesa e veprimit nga ana e KLGJ përbën shkelje të Kushtetutës, të drejtave të njeriut dhe cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Exit.al