Vendosni fjalën kyçe....

Mandati i Durrësit – Çfarë ndodh nëse merr fuqi vendimi i gjyqtares Margjeka


Valbona Sako

“Baballarët” socialistë të Reformës në Drejtësi dhe “bashkë-baballarët” ndërkombëtarë, përgjegjës për kolapsin aktual në gjyqësor, festuan në fillim të kësaj jave 3-vjetorin e ndryshimeve kushtetuese.

Në dy ceremoni të ndryshme, fillimisht në selinë e Kuvendit dhe më pas në ndërtesën e Polit të Drejtësisë, pjesëtarë të maxhorancës socialiste dhe drejtues të institucioneve të reja të drejtësisë, të zgjedhur nga shumica e majtë, mbajtën fjalime për rezultatet dhe sukseset e deritanishme të Reformës në Drejtësi.

Natyrisht, askush prej folësve nuk vuri theksin tek asnjë problematikë. Askush nuk e përmendi faktin se, falë kësaj “Reforme” dhe sidomos frikës së Vetingut qeveritar, gjykata e Durrësit shënoi javën e kaluar një prej pikave më të errëta në historinë e drejtësisë shqiptare.

Në 17 Korrik 2019, gjyqtarja e Durrësit, Mimoza Margjeka, rrëzoi kërkesën e kandidates së Partisë Socialiste, Valbona Sako, për verifikimin e mandatit fitues. Në argumentat e saj, gjyqtarja Margjeka konstatoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte kryer veprime “absolutisht të pavlefshme” me regjistrimin e subjektit “Bindja Demokratike” në procesin e 30 Qershorit.

Vetëm dy ditë më pas, më 19 Korrik 2019, kolegu i saj, Shpëtim Reka, në një vendim tërësisht anti-ligjor, pranoi kërkesën e Partisë Socialiste, të nënshkruar nga Edi Rama, për t’i njohur mandatin fitues kandidates për Bashkinë e Durrësit, Valbona Sako.

Gjyqtari Reka, në vendimin e tij, argumenton se e mori në shqyrtim kërkesën e Partisë Socialiste, pasi vendimi i koleges Margjeka nuk kishte hyrë në fuqi (hyrja në fuqi, 15 ditë pas shpalljes së vendimit).

Pasojat juridike

Në bazë të këtij argumenti, ngrihet një pikëpyetje thelbësore: Çfarë ndodh nëse vendimi i Margjekës, e cila i konsideroi veprimet e KQZ-së si “absolutisht të pavlefshme”, merr formë të prerë?

Vendimi i Margjekës mund të marrë formë të prerë në dy mënyra:

  1. Kërkuesja Valbona Sako nuk e ankimon vendimin e rrëzimit të kërkesës së saj, brenda 15 ditëve.

Në këtë mënyrë, vendimi i gjyqtares Mimoza Margjeka merr formë të prerë në përfundim të afatit 15-ditor të ankimit, i cili është gjithnjë dy ditë para vendimit të kolegut të saj, Shpëtim Reka.

Me hyrjen në fuqi të vendimit të Margjekës, si rregull, duhet të rrëzohet automatikisht vendimi i gjyqtarit Reka, pasi objekti i shqyrtimit gjyqësor ishte i njëjti-verifikimi i mandatit fitues për kandidaten e Partisë Socialiste, Valbona Sako.

  1. Kërkuesja Valbona Sako, për të shmangur skenarin e mësipërm, e ankimon vendimin e gjyqtares Margjeka në Gjykatën e Apelit.

Në këtë rast, hyn në fuqi vendimi i gjyqtarit Shpëtim Reka (pasi, nuk ka asnjë palë që ta ankimojë vendimin e tij).

Por, nëse ndodh që Gjykata e Apelit, pas një kërkese të mundshme të Valbona Sakos, të lëjë në fuqi vendimin e gjyqtares Mimoza Margjeka?

Ky variant duket pak i mundshëm, për shkak se frika e Vetingut qeveritar u rri mbi kokë gjyqtarëve, sidomos atyre të Apelit, të cilët po u afrohet radha për të dalë para trupave mediokre në çështjet ligjore të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjithësesi, nëse, në bazë të një investimi të mundshëm nga Valbona Sako, Gjykata e Apelit zgjedh t’i thërrasë ndërgjegjes profesionale e të mbështesë vendimin e Mimoza Margjekës, atëherë i gjithë thelbi i Reformës në Drejtësi vihet para një prove të madhe.

Partia Socialiste, e cila e prezanton vetes si udhëheqëse të drejtësisë së re, do të duhet të zgjedhë nëse do të zbatojë vendimin e formës së prerë të shkallës së parë (të Shpëtim Rekës), apo vendimin e formës së prerë të një gjykate më të lartë, asaj të Apelit (në rast se ndiqet skenari i ankimit nga Sako dhe rrëzimit të kërkesës së saj edhe në gjykatën e shkallës së dytë).

Natyrisht, nëse realizohet ky skenar i dytë, Ulsi Manja, Taulant Balla, por edhe të tjerë “Rilindas”, do të gjejnë një artificë ligjore për të konkluduar se votimet e 30 qershorit nuk janë “absolutisht të pavlefshme”.

VINI RE: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Boldnews.al”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *