Vendosni fjalën kyçe....

Monologu i Adi Krastës, i zbardhur dhe me video, për ata që ende nuk e kanë parë


Me video dhe i zbardhur, ky është monologu i Adi Krastës, në emisionin e tij në News24, “A Show”.

Ky monolog është bllokuar nga platforma që e ka prodhuar, me qëllime me siguri komerciale, por ne ju ftojmë ta lexoni dhe ta ndiqni në videon e tyre të “Youtube”.

Monologu i plotë i Adi Krastës:

Mirëseerdhët në program! Askush nuk do ta kishte menduar se dy qeverisje të dy partive që pretendojnë të jenë aq të ndryshme nga njëra-tjetra, do të kishin rezultuar në të njëjtën dramë popullore. Në një kërkesë mëse të natyrshme për rotacion, çdo qytetar i republikës kërkon që qeverisja që vjen të jetë më e përgjegjshme, më e kujdesshme, më realiste, më e ndjeshme dhe natyrisht më e përulur se ajo e mëparshme.

Gjë që nuk ka ndodhur edhe këtë herë.

Dalja jashtë kontrollit e kanabizimit të territorit të Shqipërisë, bashkë me emërtimin si vend i prodhimit “en masse” të drogave dhe i trafikut të tyre, ishte një goditje shumë e fortë ndaj logos së qeverisjes. Kjo ndodhi që në muajt e parë dhe u fsheh me nervozizëm nga pushteti, madje dhe në biseda të parëndësishme private.

Kanabizimi i vendit ishte Gërdeci i kësaj qeverisjeje.Për t’i shkuar tendencës popullore për krahasim, do të duhej që për të qenë njëlloj si e mëparshmja kjo qeverisje të vriste katër njerëz në bulevard, që në debatin pro dhe kundra të fajësoheshin të dy kundërshtarët në të njëjtën mënyrë për të njëjtin krim.

Skenë që natyrisht nuk ka gjasa të përsëritej dy herë.

Por largimi i më shumë së gjysmë milioni shqiptarësh dhe mbetja kokëfortë e Shqipërisë në krye të listës së azilkërkuesve, bashkë me shkatërrimin e shpresës për ndërtimin e një shteti të drejtë, ligjor u trajtua nga analistë të huaj (të cilët u anatemuan gjithsesi) si një vrasje numerike, por më e sofistikuar, që nuk kishte konkurueshmëri me të vrarët në bulevard, vetem sepse trupat e të ikurve nuk dergjeshin pllakave të Dëshmorëve të Kombit, por në kampe të qelbura refugjatësh, barqe gjithë tym, benzinë dhe dhe’ të atyre mauneve të tmerrshme që udhëtojnë për në Angli nga Kaleja.

Në psiqikën e frustruar e të lodhur të popullit tim, përgjimet dhe zëri i shqueshëm i ministrave hajdutë, të panginjur, halabakë e të trembur për vdekje nga shefi dhe mëkëmbësi i tij i përgjithshëm, duket se janë të pamjaftueshme për zemërim.

As e folura caprazë e dikujt që duhet t’i jepte zgjidhje, do të duhet të punonte më shumë dhe të fliste shumë më pak, ose aspak, nuk duket se ka shkaktuar deri më sot ndonjë shqetësim.

Psikologët mund të shohin një marrëdhënie te çuditshme mes liderit dhe njerëzve të zakonshëm në një vend si Shqipëria.Ne, të dashur teleshikues, i dukemi qeverisjes disa numra sondazhësh, të përgjumur dhe në trans.Vetem numri afro 10% në votime, në zgjedhjet e fundit farsë i ka shqetësuar ata që gjykojnë popullin. Aspak mërzia e tij, as palumturia e tij, as kritikat dhe lënia e vendit, as talljet online.

Jo.

Ishin numrat e sondazheve që e mbanin në këmbë çaprazllëkun, arrogancën. Pas rënies dramatike të numrave vjen menjëherë squllja.

Dhe hakmarrja.

I dhimbshëm si teatër. Sidomos kur e mendon se kush e bën dhe si ja del.Por duhet thënë nuk ishte vetëm arroganca shtetërore që shkakton një stepje të njeriut të zakonshëm.

As ekonomia, e cila sot është në gjunjë. As mungesa e komunikimit normal mes shtetit, pushtetit, opozitës dhe popullatës.

As mosfunksionini i institucioneve kushtetuese. As dakordësimi i dyshimtë, i çuditshëm i ambasadorëve të përfaqësive të huaja.Është mungesa e limiteve të fyerjes.

Të konspiracioneve të tryezave për të thyer kundërshtarët dhe ata që mendojnë ndryshe. Është ajo që quhet toka e djegur e parimeve morale dhe të edukatës ë njerëzve të veshur me pushtet që duhet thënë, do të duhej të vinte nga prindërit e tyre.

Për çdo diktator me vese, e para që ka dështuar është nëna e tij.Sidoqoftë nuk janë vetëm pushtetarë të devijuar dhe amoralë. Dashur padashur bëhemi të gjithë sepse i pranojmeë.

Nuk ka fajtorë të pjesshëm as faj gjysmak.Ajo çka eshte po aq paradoksale aq edhe e pakuptueshme, pra në një kuptim e paturpshme, është se qeverisja ka vendosur të kryejë me kokëfortësi dy aksione që e lexojnë shëmtuar dhe në mënyrë përfundimtarë atë.

Nga njëra anë hapur ka vendosur të pasurohet dhe pasuroje shërbëtorët dhe nga ana tjeter të lërë pa bukë, pa punë, e për këtë shkak pa fjalë, ata që mendojnë ndryshe.

A nuk u çartëm ne kur ka ndodhur kjo në qeverisjet e mëparshme?! A kemi ne kujtesë apo jo? U tmerruam. Reaguam fort. Ne nuk e kishim personale. E kishim për vendin, për vete dhe për Shqipërinë. Dhe për njerëzit.

Në mandatin e dytë të kësaj qeverisjeje ka sidoqoftë edhe elemente komiciteti, përtej presionit që vazhdon të jetë shumë i madh.

Nuk të sulmon vetem shteti, segmente të çmendura të tij, por në menyre kapilare, të vazhdueshme, të mirëorganizuar, ose jo xhanëm, të sulmojnë ish-shokë e shoqe shkollash, bashkë me prindërit e tyre te çuditur “ua çfarë ke bërë ti!”, kunetër, kunata, fqinj të inatosur, shokë tavolinash të vjetra e të vlefshme me pyetjen “ku në të sëmës do shkosh ti që vepron kështu?!

Mor i çmendur!

“Është as më pak e as më shumë lënia që gjindja i bënte një njeriu kur pushteti i Enver Hoxhës vendoste ta hidhte në plehra. Në momentin që të shkelte këmba, të linin të gjithë.

Kjo Shqipëri është! Kaq i thellë është polarizimi. Është pothuaj i pashpëtim. Dhe kjo është ajo që të mërzit sot, mbas 30 vjetësh, të trishton.Është e njëjta sjellje njerëzore.

Ti, me të vërtetën tënde që tanimë për shkak të Trumpit shoqërohesh me të vërteta të tjera alternativa, ndjehesh jo vetëm “vetëm” por i sulmuar dhe i pakuptuar. Është një betejë jo e lehtë, edhe për t’u kuptuar, sidomos jo e barabartë.Nuk është e vërtetë që përballë qëndron veç propaganda e shfrenuar e kakofonike.

Përballë nesh, anash, mbrapa, me një observim të pafshehur të ndjekin ata me të cilët ke ndarë dikur ëndrrën e madhe për demokraci, pushtet të ndershëm, llogaridhënës, shtet të drejtuar nga teknokratët, jo nga militantët dhe një jetë që nuk të trazohet nga zhurma e portaleve, e sulmeve të paprincipta.

Po çfarë duam ne?

Pse i qasemi të vërtetave kështu, pse nuk i shërbejmë pushtetit që t’ia hedhë pas vjedhjes së votave, anatemimit të individëve, shkatërrimit të bizneseve dhe fshehjes së skandaleve.

Ne duam një vend normal.Ku nuk bëhet gënjeshtra mënyrë të qeverisuri dhe natyrisht ku qeverisësit duhet ta ndjejnë se besimi popullor dhe leja për të qeverisur janë të rëndësishme dhe të përkohshme.

Qëllimi i informimit tone dhe i gazetarisë që bëjmë është të ndikojmë. Po jo në mënyrë egoiste, jo me një axhendë të caktuar.

Ne e dimë se në çdo familje shqiptare që është e lumtur pse partia e tyre është në pushtet, në mënyrë të justifikueshme madje, duhet të ketë një moment qartësimi, kur dyert janë mbyllur dhe jemi përballë njëri-tjetrit atje dhe themi nuk shkon më!

Një qartësim qoftë edhe momental. Ka një moment analize. Ka një çast kur vështrimi kritik mundohet ta kalojë membranën propagandistike. Për të cilën harxhohen shumë para, shumë njerëz punojnë.

Keto familje të majta apo ato historikisht te djathta ose xhanëm familjet inerte, janë të rëndësishme jo vetëm per fatet e tyre, por për fatet e vendit.

Militantizmi i tyre e vendos vendin përpara sprovave të pjelljes së diktatorëve.Nëse këto familje të majta konformohen, shurdhohen, verbohen, u mbytet analiza, ajo që e pëson goditjen është Shqipëria, është e ardhmja.

Në këto rrethana, rreziku është shumë i madh tani, ne të rrisim fëmijë, që do bëhen burra e gra narciziste, egoiste, sipërfaqësore, moralisht të devijuar.

Siç fatkeqësisht ndodhi me këtë brez, me brezin tonë.Sidoqoftë, në momentet e presionit të madh të ushtruar nga qeverisjet, sipas nje aksiome të artë që do të duhej të ruante ekuilibrin universal, nis edhe çarja përfundimtare, si pararendëse e vetë fundit.

Dua t’u them një gjë.

Metri i fundit përpara që një avion që ulet në pistë të prekë tokën quhet djujmi i fundit. Pra, ne jemi ne djujmin e fundit.

Njerëzve të inatosur e hakmarrës të çdo pushteti, kaq të njëjtë me njëri-tjetrin u themi se “they once ëere the future”, “ ata ishin dikur e ardhmja”.

Ka ardhur një tjetër kohë.Shqiperinë që ata nuk e bënë dot do të duhet ta bëjmë ne, si qytetare të angazhuar, që nuk u shpëton asgjë dhe që kërkojnë nga klasa politike profesionalizëm dhe ndërshmëri!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *