Vendosni fjalën kyçe....

Firmoset kontrata mes artistëve dhe opozitës, Basha: Do restaurojmë Teatrin Kombëtar


Firmoset kontrata mes artistëve dhe opozitës. Artistët angazhohen për betejë të pandërprerë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ndërsa opozita për mbështetje dhe restaurim të tij kur të vijë në pushtet.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha, në emër të opozitës, firmosi me Aleancën në Mbrojtje të Teatrit Kombëtar një kontratë që e angazhon opozitën të mbështesë veprimet e Aleancës për të mbrojtjur Teatrin Kombëtar.

“PD angazhohet gjithashtu, se në muajin e parë të qeverisë së saj, kompleksit Skanderbeg, ku bën pjesë Teatri, do t’i rikthehet statusi Ansambël Monument Kulture dhe do t’i nënshtrohet menjëherë ruajtjes dhe restaurimit. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, angazhohen të shfuqizojnë ligjin special antikushtetues “Rama-Fusha” që shemb Teatrin dhe të vendosë para përgjegjësisë penale çdo person të përfshirë në grabitjen kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar.”, njofton Zyra e Shtypit në Partinë Demokratike.

Por çfarë përmban me saktësi kjo marrëveshje. Më poshtë 6 pikat e saj: 

  1. “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit” shpreh vendosmërinë për të vijuar pa ndërprerje betejën për mbrojtjen e kompleksit shumëfish historik e kulturor, në të cilin funksionojnë aktualisht dy teatrot, ai Kombëtar dhe ai Eksperimental.
  2. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar angazhohet të mbështesë veprimet dhe aksionet e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” për mbrojtjen e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar dhe njëherësh për mbrojtjen e pronës publike të kërcënuar nga tjetërsimi i paligjshëm dhe korruptiv, duke përfshirë ndërmarrjen e çdo aksioni, të duhur e të nevojshëm, ligjor, politik e qytetar.
  3. Brenda 1 muaji nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksit të ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i rikthehet me përparësi statusi “Ansambël Monument Kulture”, duke qenë pjesë e Qendrës Historike të Qytetit të Tiranës.
  4. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, kompleksi i ish-Qarkut “Skanderbeg”, ku përfshihet edhe Teatri Kombëtar dhe zonat përreth tij, do t’i nënshtrohen ruajtjes dhe restaurimit të tyre, duke tërhequr në një sipërmarrje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve të monumenteve të kulturës më të mirë në vend.
  5. Brenda 1 muaji nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të shfuqizojë me përparësi si antikushtetues ligjin nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe i godinës së re të Teatrit Kombëtar”, si dhe çdo akt tjetër ligjor e nënligjor që buron prej tij dhe parashikon tjetërsimin e paligjshëm të pasurisë publike.
  6. Në momentin kur Partia Demokratike e Shqipërisë Opozita e Bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjor për të garantuar vënien përpara përgjegjësisë penale dhe administrative të të gjithë vendimmarrësve publikë dhe subjekteve private, për përfshirjen në aferën e grabitjes kriminale të truallit të Teatrit Kombëtar, duke u ngarkuar atyre edhe detyrimin për kompensimin e çdo dëmi të shkaktuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *