Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet mes dy shteteve, Ankaraja paralajmëron SHBA-në me përdorimin e bazave në Turqi


Ankaraja paralajmëroi se sanksionet amerikane do të vinin në rrezik të madh vazhdimin e përdorimit nga SHBA-ja, të bazave ajrore ushtarake që ndodhen në territorin turk. Ky zhvillim vjen në një kohë kur Uashingtoni po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj Turqisë, për shkak të blerjes nga kjo e fundit, të sistemeve raketore ruse.

Përdorimi i bazës ajrore Inçirlik shihet si jo vetëm me rëndësi jetike ushtarake, por nënvizon marrëdhëniet strategjike mes dy aleatëve të NATO-s.

“Aktualisht po përpilojmë masat e kundërpërgjigjes, që lidhen qoftë me bazën e Inçirlikut, apo atë të Kureçikut (baza amerikane të radarëve në Turqi) si dhe çështje të tjera”, tha ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në Uashington këtë javë, në atë që shihet si përshkallëzimi më i fundit në tensionet mes dy vendeve.

“Nëse Amerika bën hapa shumë negative ndaj nesh, nëse do të ketë sanksione apo hapa të mëtejshëm, do të kemi një përgjigje ndaj saj”, shtoi ai.

Sipas njoftimeve muajin e kaluar, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri një kërcënim të ngjashëm lidhur me përdorimin e bazës së Inçirlikut, gjatë takimit të tij me Presidentin Donald Trump në periferi të takimit të grupit të G 20-s që u mbajt në Osaka të Japonisë.

Blerja nga Turqia e sistemeve ruse të mbrotjes raketore S-400 shkel atë që njihet si Akti mbi Përgjigjen ndaj Kundërshtarëve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA), që ndalon blerjet e mëdha të pajisjeve ushtarake ruse.

Sipas CAATSA-s, Ankaraja mund të përballet me sanksione të forta ekonomike.
Blerja e sistemeve S-400 solli si rezultat përjashtimin e Turqisë nga programi për blerjen e avionëve amerikanë F-35. Zyrtarët amerikanë besojnë se vendimi i Turqisë për të përdorur teknologjinë ruse me radare të avancuar, mund të kompromentojë sistemet ushtarake të NATO-s. F-35 është avioni më i ri luftarak i NATO-s me teknologji të avancuar.

Analistët thonë se Ankaraja e ka parë gjithmonë përdorimin e bazës së Inçirlikut nga SHBA-ja, si një levë të rëndësishme për ta përdorur në kohë tensionesh mes dy palëve. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, baza e madhe ajrore e vendosur pranë kufirit sirian ka qenë jetike për interesat strategjike të SHBA-së. Sipas agjencive mbikëqyrësve bërthamore, në bazën e Inçirlikut ndodhet 50 armë bërthamore.

Forcat amerikane vazhdojnë ta përdorin Inçirlikun në përpjekjet kundër grupit terrorist të Shtetit Islamik, si në Irak ashtu edhe në Siri. Ajo gjithashtu përdoret si një qendër e rëndësishme logjistike. Por analistët thonë se rëndësia e Inçirlikut shtrihet përtej interesave ushtarake.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *