“Në Shqipëri presidentët ëndërrojnë të bëhen drejtorë komunaleje”, kështu e ka sulmuar kryebashkiaku Erion Veliaj presidentin Ilir Meta, teksa inauguronte disa punime, pa i përmendur emrin.
“Për çdo projekt, ka pasur një pakicë që ka kundërshtuar gjithçka. Mbaj mend që e filluam me protestuesit e këndit të lodrave, me një President Republike, kurse sot vazhdojnë prap të njëjtët protestues me një President tjetër. Pra, është një lojë e vazhdueshme. Në të gjitha vendet e botës ka kryetarë bashkie që ëndërrojnë të bëhen një ditë Presidentë, ndërkohë në Shqipëri presidentët ëndërrojnë të bëhen drejtorë komunaleje. Kjo është një nga ato çudirat shqiptare që nuk na ndahet“, shpotiti Veliaj.
Sulmi vjen pas dorëzimit të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar nga Ilir Meta në Kushtetuese.
“Një gjë është e sigurt: Teatri do të bëhet! Do të respektohen të gjitha procedurat dhe do të kemi një teatër të ri. Siç e dëgjuam edhe nga njerëzit, nuk jetohet vetëm me bukë e ujë, as vetëm me asfalt, por edhe me art e kulturë. ”, theksoi Veliaj.
Madje pas këtij sulmi Veliaj bëri edhe një propozim, që Partia Demokratike të lirojë selinë e saj.
“Sot edhe Teatri Eksperimental, edhe Teatri Kombëtar, janë pa zyra. Sot Partia Demokratike ka selinë më të madhe në Shqipëri; por, s’ka asnjë deputet, s’ka asnjë anëtar në Këshillat Bashkiakë, nuk ka asnjë kryetar bashkie, pra në termat e shërbëtorëve publikë, PD-ja nuk ka askënd që t’i shërbejë qytetarit, sipas përcaktimit të asaj që quhet shërbëtor publik. Pra, me ligj, nuk i takon as selia, se nuk ka asnjë njeri të përfaqësuar në të gjitha institucionet e Shqipërisë. Prandaj, nëse i do aktorët, meqë kanë mungesë zyrash dhe meqënëse i gjithë ujësjellësi i Kamzës u fut në Teatër dhe panë me sytë e tyre në çfarë kushtesh punohej, le t’u falin SHQUP-in, e cila ka qenë një ndërtesë publike. Të falësh dhe të japësh gjëra që nuk i ke, është shumë kollaj; puna është, a jep dot diçka që e ke?”, propozoi Veliaj./Hashtag.al