Kur ishte fëmijë, kishte thënë se donte të bëhej “mbreti i botës”. Tani ia ka dalë (pak a shumë): sot Boris Johnson është zgjedhur në krye të Partisë Konservatore britanike dhe ka marrë postin e Kryeministrit, duke zëvendësuar të dorëhequrën Theresa May.
Por në të vërtetë udhëheqësi i ri i Mbretërisë së Bashkuar, duhej të quhej Alexander Kemal: sepse ky ishte mbiemri i stërgjyshit turk, para se familja të vendoste të adoptonte mbiemrin më anglez, Johnson. Edhe Boris është emri i tij i dytë: për familjarët e tij ka qenë gjithmonë, dhe vazhdon të jetë, thjesht Al. Boris Johnson është pseudonim, një personazh i krijuar për të lënë pas një fëmijëri kaotike dhe të pazakontë.
Johnsonët janë një klan shumë i bashkuar, katër fëmijë, të gjithë shumë inteligjentë dhe shumë bjondë, grusht bashkuar përreth patriarkut Stanley: i cili u ka ngulitur ambicien për sukses dhe një shpirt super konkurues. Ai vetë kish qenë student në Oksford dhe atje kish fituar çmimin prestigjoz studentor të poezisë, po atë çmim që në të kaluarën e ka marrë Oscar Wilde; po në Oksford kishte studiuar dhe e shoqja Charlotte, një piktore e talentuar.
Por Stanley ishte një donzhuan i pandreqshëm dhe ata u divorcuan në 1979, kur Al-Boris ishte 15 vjeç: ai ra në depresion dhe pak më vonë u diagnostikua me Parkinson. Një traumë që do të linte shenjë tek bijtë e tij.
Al-Boris kishte lindur në Nju Jork dhe në 14 vitet e para të jetës kishte ndërruar shtëpi 32 herë, në 2 kontinente. Por Johnsonët nuk lundronin mbi flori: Al u pranua në Eton, kolegji më ekskluziv në Angli, vetëm falë një burse studimesh. Ai ishte në fakt një prej King’s Scholars, 70 nxënësit që përzgjidhen çdo vit mes të rinjve më inteligjentë të Mbretërisë, dhe që financohen në zbatim të një urdhëri të nxjerrë nga Henriku VI në vitin 1440: qëndrojnë në një fjetore të veçantë dhe vishen gjithashtu ndryshe. Të tjerët, të pasurit që paguajnë shkollën, janë Oppidans: cholars, ku bën pjesë dhe Boris, i konsiderojnë budallenj të llastuar, ndërkohë që Oppidans i snobojnë si “varfanjakë”. Për të kuptuar më mirë, David Cameron, edhe ai nxënës në Eton në atë kohë, ishte një Oppidan: dhe kjo shpjegon rivalitetin me Sholar-in Johnson. Si dhe psikologjinë e këtij të fundit.
Vogëlushi Alexander, deri në moshën 8 vjeç, ishte pothuaj shurdh. Një gjë që e kishte izoluar nga fëmijët e tjerë dhe që kish nxitur ndjeshmërinë dhe inteligjencën e tij. Për të mbijetuar, në Eton kishte nisur të zhvillonte personalitetin ekscentrik dhe tërheqës, duke i tërbuar profesorët me sjelljen e tij arrogante. Siç thoshin shokët, ishte i sigurt se rregullat nuk ishin bërë për të. Pikërisht atëherë e ndërroi emrin dhe e bëri Boris.
Edhe në Oksford, Johnson arriti të futet falë një burse studimesh. Por hidhërimi i tij i madh ishte se nuk ia doli të diplomohej me maksimumin e notave: e kaloi pasditen duke qarë në një kinema. Dhe kur vëllai i tij Jo e mori me të gjitha nota maksimale, bashkë me një fletë lavdërimi, motra Rachel komentoi: “Po tani, kush do ia japë lajmin e keq Borisit?”
Në Oksford kandidoi për president të Unionit studentor: nuk bëri fushatë, i bindur se do të fitonte, vetëm për shkak se ishte Boris. Humbi. Vendosi të provojë sërish, këtë herë duke u mbështetur në një numër mbështetësesh adhuruese (kishte zbuluar që pushteti mbi gratë të jep pushtet): dhe fitoi. Kishte lindur Boris Johnson.
Corriere della Sera – Bota.al