Vendosni fjalën kyçe....

“Agimi i Artë” i shkërmoqur pas zgjedhjeve, drejt shkrirjes si parti


Partia radikale e djathtë “Agimi i Artë” në Greqi drejt fundit: Ajo nuk përfaqësohet më në parlamentin e ri dhe po gërryhet nga grindjet e brendshme.

Ishte një rezultat zhgënjyes elektoral: Me 2,93% të votave ekstremistët e djathtë “Agimi i Artë” në Greqi dështuan në pragun e përfaqësimit parlamentar, që ligji e parashikon me të paktën 3% të votave. Pas zgjedhjeve parlamentare më 7 korrik kësaj partie iu desh t’u verë kapakun ambicieve politike për katër vitet e ardhshme. Por një tjetër grupim i ri i së djathtës, i ashtuquajturi “Zgjidhja greke”, ia doli të përfaqësohet në parlament, raporton Deutsche Welle.

Kryetari i partisë Kyriakos Velopoulos konsiderohet si populist i paparashikueshëm, por ai nuk është militant. Me sa duket zgjedhësit e së djathtës kanë vendosur për një zgjidhje më pak radikale dhe kësaj here i kthyen kurrizin “Agimit të Artë”.

Pas zgjedhjeve Nikolaos Mikaloliakos në një fjalim në televizion thotë, se gjoja ka pasur tradhti nga ish-shokët e tij të idealit. Fillimi i fundit për një trupë të dhunshme të padëshiruar?

“Ka shumë mundësi”, – thotë politologia Vassiliki Georgiadou, e cila hulumton ekstremizmin e djathtë dhe ka shkruar disa libra për këtë.

“Jo vetëm suksesi, por edhe forca organizative e “Agimit të Artë” me sa duket ka rënë”, – thotë për DW, Georgiadou. Në vitet e shkuara partia praktikisht ka funksionuar si një milici, duke i mobilizuar njerëzit e saj kryesisht në kryeqytet në epiqendrat e saj. Por nëse suksesi politik mungon, atëherë partia neonaziste nuk është më tërheqëse për përkrahësit e saj, mendon ekspertja.

Një tjetër pasojë:“I ashtuquajturi parimi i udhëheqësit duket se nuk funksionon më, kryetari i partisë Mikaloliakos është i diskutueshëm.”

Procesi penal vazhdon

Ndërkaq procesi kundër Mikaloliakos dhe anëtarëve të tjerë drejtues të partisë vazhdon për shkak të“anëtarësisë në një organizatë kriminale”. Për këtë lloj krimi kodi penal parashikon deri në dhjetë vjet burg dhe në rast të ndërlidhjes edhe me vepra të tjera penale dënimi mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm. Ky proces ka nisur pas vrasjes së aktivistit të majtë Pavlos Fyssas në qytetin port të Pireut para gjashtë vjetësh.

Asokohe neonazistët e “Agimit të Artë” ishin të përfaqësuar me 18 deputetë në parlament. Prokuroria pandeh, se vrasja ka ndodhur me udhëzim të Mikaloliakos ose drejtuesve të tjerë të partisë. Prej kohësh anëtari i partisë Jorgos Roupakias e ka pranuar, që e ka goditur me thikë Pavlos Fyssas. Të enjten (25.07) ai u mor në pyetje nga gjyqtarët. Ai nuk shprehu aspak pendesë.

“Ishte një goditje e thjeshtë vdekjeprurëse, e prej kësaj ju keni bërë një temë gjigante”, – protestoi Roupakias para gjyqit. “Ky është një turp”, shkruan gazeta e Athinës “Ethnos”.

Procesi kundër 69 anëtarëve të partisë “Agimi i Kuq” e përkrahësve të saj nisi më 2014 në burgun e sigurisë së lartë Korydallos. Vendimi pritet në vjeshtë.

Grindje për mandatet

Ndërkohë që në zgjedhjet për Parlamentin Europian në maj “Agimi i Artë” arriti të ketë sukses dhe do të dërgojë tashmë dy deputetë në Bruksel. Një ndër përfaqësuesit e ri është Ioannis Lagos, dikur një punonjës i sindikatës që sipas prokurorisë së Athinës është të paktën bashkëpërgjegjës për vrasjen e aktivistit të majtë Fyssas në shtator 2013. Ende pa mbërritur në Bruksel Lagos deklaroi papritur daljen e tij nga partia. Ish-kandidati në zgjdhje e dorëzoi mandatin e tij. Por nuk mjafton vetëm kjo, ka edhe më shumë arsye për indinjatë kryetari i partisë Mikaloliakos: Ish-politikani i tij për Europën Eleftherios Synadinos e akuzon atë publikisht edhe për praktika të dyshimta financiare.

“Grindjet në rritje brenda partisë tek e fundit flasin për fundin e “Agimit të Artë”, – mendon politologia Georgiadou. Megjithatë kjo parti nuk duhet nënvleftësuar, thotë ekspertja: “Në Greqi ekstremistët e djathtë kanë një publik të përhershëm, me rreth 7% përqind. Nëse zgjedhësit i kanë kthyer përfundimisht shpinën “Agimit të Artë” ose jo, kjo varet prej faktit se sa bindëse janë për elektoratin partitë e mëdha popullore.”

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *