Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet drejtori socialist i burgut të Lushnjës, dyshohet se liroi Lulzim Cakën 4 muaj para


Në foto Lulzim Caka i arrestuar nga efektivët

Arrestohet Judmir Shurdhi, drejtori i burgut të Lushnjës, pas dyshimeve se liroi Lulzim Cakën 4 muaj para.

“Dje në mbremje, me informacion në rrugë operative nga Shërbimi i kontrollit të Brendshëm të burgjeve, jam vënë në dijeni me dyshimin e lirimit para kohe nga IEVP Lushnjë, të të dënuarit Lulzim Caka, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e disa veprave penale.

Menjëherë sapo kam marrë dijeni, kam urdhëruar verifikimin dhe hetimin e çështjes me grup të përbashkët hetimi nga Drejtoria e përgjithshme e burgjeve, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje (SHKBB) dhe stafi i Ministrisë së Drejtësisë.

Grupi i hetimit, gjatë orëve të natës ka kryer veprimet hetimore dhe proceduriale, në administrimin e provave, pyetjen e stafit administrativ, drejtorin e IEVP Lushnjë, kartelistin pranë këtij institucioni, shqyrtimin e dokumentacionit në IEVP Lushnjë dhe dosjes penale të të dënuarit Lulzim Caka.

Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhërit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.”, tha sot ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Judmir Shurdhi

Shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve kreu arrestimin në flagrancë të:

  1. Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 

  1. Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.

Po gjithashtu kam urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje.

“Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për t’a rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Po sot kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Qeveria dhe personalisht si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin pasi gur i themelimit në mbarëvajtjen e organeve ligjzbatuese është zbatimi në mënyrë rigoroze e ligjit dhe administrimit të procesit.

Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditura.”, tha më tej Gjonaj.

Judmir Shurdhi ka qenë biznesmen me pronësi të një bar-restoranti si dhe këshilltar i Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Lushnjes në 2015-ën. Ai ka fituar disa tendera për shërbime ushqimi në institucione. Ai mbante pozicionin e drejtorit në Bashkinë e Lushnjës dhe ishte koordinator elektoral për Partinë Socialiste në qytet.

Lulzim Caka vuajti 16 vjet burg, pasi për hakmarrje për vrasjen e nënës së tij vrau Valter Begën dhe Mariglen Camin. Ngjarja ndodhi në 1999-ën./Hashtag.al

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *