Kreu i opozitës së bashkuar, Basha, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me qytetarët e Prrenjasit dhe me mbështetësit e PD-së në këtë qytet.
Në fjalën e tij Basha tha se në fund të betejës së opozitës jo vetëm që do ketë rotacion politik por do jetë edhe fundi i tranzicionit.
Ai theksoi se babëzia e Edi Ramës dhe e oligarkëve dhe kriminelëve me të cilët bashkëpunon e ka çuar vendin në pikën më të vështirë ekonomike, sociale e politike.
‘Babëzia me të cilën Rama grabit buxhetin e shtetit, pasurinë e vendit, mineralet, naftën, bregdetin, pyjet, ujërat, guroret, gjithçka është arsyeja pse shqiptarët janë të papunë, pse varfëria thellohet, ndërsa Rama, Dako, Gjiknuri dhe Balla kridhen në luks dhe përvetësojnë miliona euro. Asnjë plan tjetër nuk ka Edi Rama dhe banda e tij përveç grabitjes së pasurive publike si te Teatri Kombëtar ku do të përfitojë 200 milionë euro me 6 kullat e drogës. Asnjë ofertë zhvillimi përveç grabitjes së bregdetit nga Saranda dhe Himara në Shëngjin e Velipojë. Milot-Balldreni, Unaza e Re janë po ashtu grabitje me ligj e dhjetëra miliona eurove nga Edi Rama.’ – tha Basha.
Basha tha se fundi i pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të korruptuar dhe politikanëve të lidhur me krimin do jetë fillimi i rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së.
‘Bashkë me 85% të shqiptarëve që duan ndryshim, do ta largojmë këtë bandë. Vendi i tyre është para drejtësisë me pranga në duar, nga i pari tek i fundit. Fundi i pandëshkueshmërisë së pushtetarëve të korruptuar e të lidhur me krimin është fillimi i Shqipërisë si gjithë Europa. Ne e dimë që në fund të kësaj rruge nuk do të kemi vetëm rotacion politik por do të kemi fundin e tranzicionit dhe Partinë Demokratike në krye të aleancës sonë qeverisëse për të hapur rrugën e standardit të vërtetë europian, për të bërë realitet Shqipërinë e standardit europian në çdo fushë. Largimi i Edi Ramës është kusht i parë dhe i panegociueshëm. Vetëm një qeveri tranzitore pa Edi Ramën kryeministër mund të garantojë votën e qytetarët. Ne e dimë se me votë të lirë dhe të ndershme, Rama është larguar, PD është në krye të qeverisjes së ardhshme të vendit.’ – shtoi Basha.