Policia Kufitare parandalon dhe godet një rast të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt shtetit grek duke arrestuar një 45-vjeçar.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Qafë Botë, në zbatim të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë kontrollit të automjeteve në Pikën e Kalimit Kufitar në dalje nga Republika e Shqipërisë kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë automjetin tip “KIA”, që drejtohej nga një shtetas 45-vjeçar nga Saranda.
Në vendngjarje kanë shkuar grupi hetimor dhe specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë.
Pas kontrollit të imtësishëm në automjet u gjetën 72 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë është bërë arrestimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. SH., 45 vjeç, banues në Sarandë.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Sarandë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” e mbetur në tentativë.