Vendosni fjalën kyçe....

Andre Silva mban peng blerjen e Correa nga Atletico Madrid


Rafael Leao nuk do të jetë goditja e vetme në sulm e Milanit, që pas sistemimit të Cutrones te Wolverhampton, po synon të bëjë të njëjtën gjë edhe me Andre Silvan.

Shitja e portugezit mbetet thelbësore, për të arritur te kartoni i Angel Correas, që është dhe objektivi i parë i identifikuar nga drejtuesit kuqezi për teknikën dhe funksionimin e stilit të lojës së trajnerit Giampaolo.

Skuadra e Atletico Madridit, që zotëron kartonin e sulmuesit, është e disponueshme të nisë tratativat për kalimin e 24-vjeçarit te Milani, nëse kuqezinjtë paguajnë shumën e 50 milionë eurove. Momentalisht, klubi nga Milanello është gati të paguajë 40 milionë euro, çka edhe përbën problemin kryesor të Milanit për të arritur te futbollisti, pasi spanjollët, që momentalisht ndodhen në SHBA, për turneun veror, nuk pranojnë asnjë ulje për kartonin e argjentinasit.

Tratativa mes palëve duket e gjatë dhe shumë komplekse, por shpresa e vetme e klubit Italian, është që me kalimin e ditëve spanjollët të ulin disi pretendimet e tyre. Por transferimi i Correas në Milanello është i lidhur ngushtë me të ardhmen e Andre Silvas, i cili u rikthye tek italianët, pasi nuk arriti të kalonte vizitat mjekësore me Monacon, pas një dëmtimi në këmbë.

Menaxheri i portugezit, Jorge Mendes, vazhdon bisedimet me klubin nga Principata, duke insistuar se problemi me tendinat i lojtarit nuk është i rëndë. Gjithashtu Mendes kërkon të shfrytëzojë edhe pëlqimin e trajnerit Jardim kundrejt futbollistit, për të bindur drejtuesit të transferojnë Andre Silvan në Principatë.

Kontaktet mes Milanit dhe Monaco për 23-vjeçarin pritet të rinisin gjatë javës, por edhe nëse kuqezinjtë pranojnë një ulje në vlerën e kërkuar për kartonin e futbollistit në mënyrë që të mbyllet marrëveshja, mbetet që francezët të bindin lojtarin për transferimin në “Stade Louis II”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *