Presidenti i vendit Ilir Meta, i ka dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit ku shpreh mbështetje për kauzën e tyre. Ai ka publikuar edhe një video të kryeministrit Edi Rama të vitit 2000.
Në këtë video, kur Rama ishte ministër i Kulturës nën qeverinë e Metës, shprehej se ishte vullneti i kryeministrit që qendra historike e Tiranës të mos prekej.
“Po ju njoh me faktin se dje i kam dërguar një letër Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, për të konfirmuar mbështetjen time në aplikimin e saj drejtuar organizatës prestigjoze “Europa Nostra” për mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
Po kështu të gjitha qëndrimet e mia në mbrojtje të trashëgimisë historike e kulturore të Tiranës, kanë qenë dhe janë në koherencë të plotë për këtë çështje prej 20 vitesh.
Dëgjoni ju lutem kryeministrin aktual, z.Rama se si e konfirmonte këtë fakt në vitin 2000, kur shërbente me devocion të jashtëzakonshëm si ministër Kulture, në qeverinë që unë drejtoja.”, shkruan Meta.
Para pak ditësh, në Teatrin Kombëtar u rikthye sërish policia me forca të shtuara, për të bërë të mundur zbrazjen e tij por hasi në kundërshtimin e nga artistë dhe qytetarë të mbledhur për të mbrojtur atë nga shembja. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po lëviz çdo gur për të ndaluar shembjen e godinës me vlera historike e kulturore.