Pronarët e disa dyqaneve tek rruga e Kavajës kanë denoncuar sot tjetërsimin e pronave të tyre pa të drejtë.
Katër pronarë po zbohen nga prona e tyre tek rruga e Kavajës pranë “Kishes Katolike”, pa vendim të formës së prerë nga gjykata. Me një VKM, qytetarët po shpronësohen duke iu vlerësuar me 300 mijë lekë metri katror.
Qeveria thotë se kjo po bëhet për interes publik se do t’i jepen prefekturës, por pronarët thonë se kanë informacione se aty do ndërtohet një 20 katësh.
“Na ka dalë një VKM ku thotë, prona do kthehet në identitet. Që në kohën e Zogut ka qenë dyqani, ia kemi marrë pronarëve që kanë punuar nga 30 vite. Për çfarë? Prona tjetërsohet në interes të madh publik,jo për zyra. Nuk mund ta marrë për zyra Edi Rama, Erion Veliaj. Nuk di se çfarë të them. “, tha një prej pronarëve.
“I është vënë syri për të ngritur një 20 katësh në këtë vend, kemi dyshime dhe informacione sepse kanë ardhur këtu dhe na kanë pyetur sa metra kërkoni për të na e liruar. Ne i kemi kundërshtuar. Ne në Apel e kemi çuar çështjen, kemi 2 vjet dhe nuk është kthyer asnjë përgjigje. Para 5 ditësh kanë ardhur në 5 të mëngjesit me polici e na kanë bllokuar dyqanet. Bizneset na i kanë mbyllur, një pjesë i kanë hequr. Asnjë lajmërim nuk kishim. Ne presim vendim gjyqi”, vijoi më tej ai.
“Nuk ka shans, me gjak do ta mbroj këtë pronë.”, tha një tjetër.
Pranë pronarëve ka shkuar edhe ish-deputetja Oriola Pampuri, e cila thotë se kjo po bëhet në interes të oligarkëve të lidhur me kryeministrit Edi Rama.
“Jam bashkë me 4 pronarët e ligjshëm të 4 dyqaneve të ligjshme këtu pas. Kanë dokumente. Sot po ndodh një fenomen, shtetëzim i pronës private. Sot kalon një oligark e shënjon si pronë dhe ia kërkon Edi Ramës. Pronarët janë çuar me prona të mbyllura pa asnjë lloj vendimi. Është një akt i paprecedentë. Pronarët duhet të kishin fituar që në shkallën e parë, gjë që u hodh poshtë. Do shkojë në Apel, shpresat e vakëta. Do shkojë në Strasburg. PD në mbështetje. Shtetëzimi i pronës private është për sistemet komuniste. Është një fenomen i paprecedentë për një vend demokratik”, tha Pampuri.