Vjen reagimi nga ish-drejtori i ALUINI-t në Tiranë, Ferdinand Shehu, i të cilit policia i sekuestroi rreth 1.5 milion euro.
Në një intervistë për “RTV Ora”, Shehu tha se pasuria e tij që u sekuestrua “janë të ardhura të siguruara nga shitja e një hoteli”.
Në njoftimin e policisë, thuhej se Shehu ka tentuar nëpërmjet një banke private transferimin e 1 milionë eurove jashtë vendit, me justifikimin për investime financiare, ndërkohë 500 000 Euro të tjera i ka vendosur në depozitë me afat.
Shehu tha se transaksioni që po kryhej, ishte në përputhje me ligjet shqiptare. Ai shtoi se ndodhej në Itali, por do të kthehej për të sqaruar situatën.
“Aktualisht ndodhem në Itali, nuk kam asgjë për të fshehur, do të kthehem në Shqipëri. Transaksioni që po kryeja ishte në përputhje me ligjet shqiptare, në rrugë bankare dhe noter. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të cilën nga ky moment është ngarkuar avokatja ime”, janë fjalët e ish-zyrtarit të lartë.