Matteo Salvini është detyruar të kërkojë falje pas videove që kanë qarkulluar online të djalit të tij me motor.
16-vjeçari po bënte xhiro në plazh me një motor uji të policisë, në bregdetin e Milan Maritima, në Papeete Beach, ku Salvini po kalon pushimet verës. E gjithë skena ka ndodhur në dijeni të Salvinit, ku policët po bënin foto me të, e më pas i bëjnë një nder djalit të tij duke i mësuar motorin e ujit.
Siç shkruajnë mediat italiane, Salvini e ka konsideruar këtë si një gabim nga ana e tij si “baba“.
“Djali im në motorin e policisë është një gabim nga ana ime si baba, asnjë përgjegjësi nuk i duhet lënë policëve, të cilët përkundrazi i falenderoj sepse çdo ditë rrezikojnë jetët e tyre për vendin”, thotë ministri i Brendshëm italian.
Videoja në fjalë ka shkaktuar shumë kritika ndaj Salvinit, ku mes tyre përmendim Emmanuel Fiano nga Partia Demokratike e qendrës së majtë (PD).
“Policia ka për detyrë të garantojë sigurinë tonë dhe të mos argëtojë familjen e Salvinit”, tha ai. Matteo Renzi nga ana tjetër ka kërkuar që ta lënë djalin e Savinit të qetë.