Vendosni fjalën kyçe....

’30 milionë eurot do i sekuestrohen farës së keqe si Sandër Lleshaj’ – PD publikon dokumentet


Partia Demokratike ka deklaruar se paratë e tenderit korruptiv 30 milionë eurosh do gjurmohen, do zbulohen e do i sekuestrohen farës së keqe si Sandër Lleshaj.

Në një reagim në ‘Facebook’, drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion në PD, Pelinku, shkruan se ministri i Brendshëm, Lleshaj, që po grabit 30 milionë euro duhet të tregojë pse zgjodhi të eliminojë garën e ndershme, duke përgjysmuar afatin për pjesëmarrjen në tender.

Ai duhet të përgjigjet gjithashtu pse ka vendosur tani procedurën e kufizuar ndërsa pak muaj më parë lejoi procedurën e hapur.

‘Sandër Lleshajt iu deshën 24 orë për të reaguar për tenderin korruptiv të uniformave të policisë, por në vend të fakteve, sulmoi opozitën.

Ministri i tenderit hajdut 30 milionë euro, që bën vetëm propagandë dhe sulmon opozitën, nuk përgjigjet dot pse zgjodhi të eliminojë garën e ndershme, duke përgjysmuar afatin për pjesëmarrjen në tender.

Sandër Lleshaj nuk ka gojë të flasë as për të shpjeguar pse tani ka vendosur procedurën e kufizuar, ndërsa vetëm pak muaj më parë, lejoi procedurën e hapur.

Tenderi 30 milionë euro i uniformave të policisë nuk është një tender i jashtëzakonshëm, që kërkon materiale të ndërlikuara, siç e ka keqpërdorur parashikimin ligjor Sandër Lleshaj.

Janë pantallona, xhaketa, këpucë dhe gjëra të tjera të zakonshme të uniformës së policit, që gjenden lehtësisht në treg, që mund të prodhohen nga mijëra kompani shqiptare dhe të huaja, qoftë edhe “me specifikime e standarde të veçanta”- siç belbëzon Sandër Lleshaj, i kapur në flagrancë me 30 milionë euro tender korruptiv.

Kjo është fara më e keqe e politikanëve. Është kjo farë që na grabit, na dhunon dhe na kërkon të heshtim për krimet e tyre. Një përpjekje e çuar dëm, sepse opozitës dhe qytetarëve nuk ia mbyll dot gojën as me gaz, as me kërcënime me gjyq.

Një gjë është e sigurt, se paratë nga tenderi korruptiv 30 milionë euro do të gjurmohen, do të zbulohen, do t’i sekuestrohen farës së keqe si Sandër Lleshaj dhe do t’u kthehen shqiptarëve.’ – shkruan Pelinku në ‘Facebook’.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *