Vendosni fjalën kyçe....

Endri Hasa: Ligji i ri nxjerr jashtë përdorimi kasat fiskale aktuale, çon drejt falimentimit mijëra biznese


Në një ditë kur zv.kryeministri Erion Braçe ka promovuar masat e qeverisë kundër informalitetit dhe përdorimit të kasave fiskale, Partia Demokratike thotë se qeveria me ligjin e ri parashikon nxjerrjen jashtë përdorimit të kasave fiskale duke detyruar bizneset të shpenzojnë për blerjen e pajisjeve dhe programeve të reja kompjuterike.

Hasa thotë se kjo rrit kostot për biznesin duke çuar në falimentim mijëra biznese.

“Një vit më parë, Partia Demokratike denoncoi tenderin e paracaktuar të sistemit të ri të faturimit të biznesit si një zhvatje e re për biznesin për të mbushur xhepat e familjes dhe miqve të Edi Ramës.

Sot, pas një viti, gjithçka ne paralajmëruam, është realitet. Qeveria ka paraqitur ligjin e zhvatjes së re të biznesit, nëpërmjet nxjerrjes jashtë përdorimit të kasave fiskale dhe futjes në përdorim të një sistemi të ri, që kushton para për çdo biznes që punon në Shqipëri.

Me ligjin e ri të qeverisë, të gjitha pajisjet fiskale në përdorim të biznesit, përfshirë rreth 140 mijë kasa fiskale, do të dalin jashtë përdorimit. Në vend të tyre, qeveria po krijon me ligj një sistem të ri për faturat, duke detyruar çdo biznes të deklarojë çdo veprim në kohë reale.

Ky ligj rrit kostot për biznesin, cënon konkurencën e lirë, vret vendet e punës dhe çon drejt falimentimit mijëra biznese.

Sistemi i ri detyron mbi 150 mijë biznese të shtojnë kostot duke blerë pajisje dhe programe të reja kompjuterike, si printer, kompjuter, telefonë të teknologjisë së lartë, që t’i përshtaten këtij sistemi. Në kostot e biznesit shtohet me ligj edhe lidhja e detyrueshme e internetit, e cila duhet të jetë në funksion gjatë gjithë kohës për të kryer veprimet. Kostoja tjetër që do t’i shtohet çdo biznesi që punon në Shqipëri është pagesa për t’u pajisur me firmë elektronike. Ky është një detyrim thelbësor për funksionimin e sistemit të ri, për të cilin qeveria ka hartuar ligjin e ri. Firma elektronike kushton nga 50 deri në 110 Euro për çdo biznes.

Në kostot e biznesit, duhet të përfshihet edhe nxjerrja jashtë përdorimit e kasave fiskale.“, tha Hasa.

Gjatë fjalës së tij, Hasa kujtoi premtimet e kryeministrit Edi Rama për bizneset, duke u thënë se kasat ekzistuese nuk do të preken. Ish-deputeti thotë se ka vetëm një rrugë që kjo të mos ndodhë-  largimi i qeverisë.

“Një vit më parë, Edi Rama dhe Ministria e Financave e gënjyen biznesin, duke thënë se kasat ekzistuese, që kushtojnë mesatarisht 350 euro, nuk do të preken.

Kjo qeveri di vetëm të mashtrojë dhe të grabisë qytetarët për të mbushur xhepat e vet të babëzitur.

Ka vetëm një rrugë që ky ligj të mos miratohet! Duhet të largojmë qeverinë që e ka propozuar atë kundër interesit të mbi 150 mijë bizneseve.”, e mbyll fjalën e tij Hasa.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *