Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, i cili u regjistrua në votimet e 30 qershorit si kandidat i PS për Bashkinë e Shkodrës.
Kërkesa mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi. Kjo kërkesë sipas PD-së vjen në kushtet kur ekzistojnë të dhëna, indicie dhe dëshmi publike se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit. Në këtë shkresë thuhet se Pjetri ka qenë ndaluar nga drejtësia italiane në 2001-2002.
“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD.