Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i drejtuar nga Ardian Dvorani, ka injoruar Presidencën kur i është përgjigjur për të shkuarën si funksionar politik të Artur Metanit, duke lejuar kandidimin e këtij të fundit për ILD-në.
Presidenca i është përgjigjur që në prill Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të drejtuar nga Ardian Dvorani, lidhur me kandidimin e Artur Metanit, për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Në letrën e Presidencës, konfirmohet e shkuara në politikë e Metanit, i cili ka punuar si Këshilltar Juridik i Presidentit të Republikës, në periudhën Maj 2002-Korrik 2012.
Një funksion politik në administratën publike nënkupton të qenit: deputet, Kryeministër, Zëvendëskryeministër, ministër, zëvendësministër ose nëpunës pjesë e kabinetit të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, 3 Zëvendëskryeministrit, ose ministrit që kryen detyrën e drejtorit të kabinetit, këshilltarit, ndihmësit, zëdhënësit ose sekretarit personal të titullarit të kabinetit.
Kjo e bën të parregullt dhe kundër Kushtetutës kandidimin e Metanit për këtë post, pasi në nenin 147/d, pika 3, Kushtetuta parashikon se “Kandidati për Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike, ose pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit”.
Edhe pse funksioni në politikë i Metanit nuk e lejon këtë, në mbledhjen e 30 korrikut, KED, pjesë e të cilit është edhe Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, vendosi pro vëllait të ish-ministres së Turizmit Eglantina Gjermenit. Pra arriti në vendimin që Metani “plotëson kushtet për të vijuar garën për Kryeinspektor” përkundër asaj çfarë thotë Kushtetuta dhe “Ligji për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”./Hashtag.al