Artistët dhe aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit po bëjnë gjithçka kanë në dorë për të mbrojtur nga shembja këtë institucion të kulturës. Por vetëm ata nuk ia dalin dot me të gjitha shpenzimet.
Së fundmi Aleanca ka vendosur çeljen e një llogarie bankare për të përballuar shpenzimet për energjinë elektrike dhe organizimin e Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit.
Llogaria bankare do të administrohet nga regjisori Edmond Budina, aktori Neritan Liçaj dhe Adriana Tolka.
Në njoftim, Aleanca për Teatrin sqaron se do të bëjë transparente derdhjen dhe shpenzimet financiare.
“Për të mbarëvajtur punët për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, duke përfshirë këtu shpenzime bazë si mbajtjen e gjeneratorëve, si dhe realizimin me sukses të Festivalit për Mbrojtjen e Teatrit, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit pas sugjerimeve të marra nga mbështetës të shumtë mori vendim për hapjen e një llogarie bankare.
Përmes kësaj llogarie do të manaxhohet veprimtaria financiare e Aleancës. Transparenca për të do të jetë e plotë. Si për hyrjet ashtu edhe për daljet do të ketë shpallje mujore në kanalet e komunikimit të Aleances, në Facebook dhe në sheshin e Teatrit. Për daljet do të ketë argumentim të bazuar mbi veprimtarinë konkrete dhe fatura e mandate pagese.
Llogaria bankare është krijuar në Bankën Kombëtare Tregtare dhe është e bashkëmanaxhuar nga: Edmond Budina, Neritan Liçaj, Adriana Tolka.”, thuhet në njoftim.