Isa Mustafa është rizgjedhur sot në krye të LDK-së në Kosovë. Në fjalimin e tij të parë, Mustafa tha se partia e tij nuk do të bënte koalicion me Partinë e Kadri Veselit.
“S’bëjmë koalicion me PDK’në. Këtë pyetje as mos e bëni”, ka thënë Mustafa, në konferencën e parë si Shef i ri i LDK’së.
Mustafa tha se s’ka marrëveshje të brendshme për kandidatin për Kryeministër nga LDK-ja. Ai shtoi se kandidati për Shef të Qeverisë do të jetë ai që ka përkrahjen më të madhe dhe që e përfaqëson vullnetin e qytetarëve.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka uruar Isa Mustafën për rizgjedhjen si lider i LDK-së.
“Urimet më të mira mikut tim @IsaMustafaKS për rizgjedhjen në krye të LDK. Në emrin tim dhe të @pdshqiperi i uroj suksese bashkë me LDK në sfidat për zhvillimin ekonomik, forcimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin euroatlantik të saj.”, shkruan Basha.
Mustafa tha sot se shumë shpejt do të shpërndahet edhe Parlamenti i Kosovës.