Kërcënohet me jetë një biznesmen në qytetin e Korçës. Një person është arrestuar nga policia, nën akuzat për gjobvënie ndaj një biznesmeni, të cilin e ka kërcënuar me thikë dhe i ka kërkuar në këmbim të jetës një shumë prej 5 mijë eurosh.
I dyshuari sipas policisë është një 37-vjeçar me inicialet E.L, banues në Korçë, i cili më parë ka qenë i dënuar për vrasje.
“Autori me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim”.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit:
E.L, 37 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim”).
Ndalimi i tij u bë pasi, dyshohet se ky shtetas ka kanosur me thikë, një biznesmen në qytetin e Korçës, duke i kërkuar në këmbim të jetës shumën prej 5000 Euro.
Nga tërësia e veprimeve të kryera shtetasi i lartpërmendur, ka konsumuar elementët e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore në ngarkim të këtij shtetasi.”, thuhet në njoftimin e policies.