Një 27-vjeçar është ndaluar në pikën kufitare të Muriqanit, pasi i është kapur në flagrancë një sasi prej 20 kilogramësh kanabis.
Në pranga ka rënë i riu me iniciale D.K., banues në fshatin Kçar i Poshtëm të Malësisë së Madhe.
Sasia e lartpërmendur e drogës u kap në mjetin e tij ndërsa ai është shoqëruar në polici nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Njoftimi i policisë
‘Policia Kufitare parandalon dhe godet një tjetër tentativë për trafikim të lëndëve narkotike. Arrestohet në flagrancë një 27 vjeçar, i cili tentoi të trafikonte në drejtim të Malit të Zi, 20 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale Për Kufirin dhe Migracionin Shkodër në PKK Muriqan, në zbatim të masave shtesë për rritjen e kontrollit me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë që mund të zhvillohet në pikat e kalimit si pasojë e fluksit të madh gjatë sezonit turistik veror, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll të imtësishëm një mjet të dyshuar se mund të transportonte lëndë narkotike.
Nga kontrolli i imtësishëm i ushtruar mjetit që drejtohej nga 27 vjeçari, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën të fshehur dhe sekuestruan 20 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Në vendngjarje ka mbëritur grupi hetimor dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Shkodër të cilët në përfundim të veprimeve kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit: D.K., 27 vjeç, banues në fshatin Kçar i Poshtëm -Demiraj, Malësi e Madhe. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” mbetur në tentativë.’