Rastet e mashtrimit të individëve apo bizneseve që mashtrohen nga individë të panjohur për të devijuar transfertat bankare për llogari të këtyre të fundit janë shtuar së fundmi në vend.
Në kuadër të parandalimit dhe informimit, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka dhënë detaje për mënyrën sesi funksionojnë këto tipologji dhe çfarë duhet të kenë parasysh bizneset dhe individët që të mos bien pre e mashtrimeve.
“Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit parandalues në vend, informon subjektet e ligjit, individët dhe personat juridikë në vend se kohët e fundit konstatohet një rritje e rasteve të mashtrimeve me tipologji kryesisht të ndërhyrjes nëpërmjet komunikimeve elektronike të disa individëve/personave juridikë (klient banke) nga individë të panjohur, me qëllim devijimin e transfertave bankare në llogari të personave të përfshirë në mashtrim.
Nëpërmjet ndërhyrjeve të jashtëligjshme në postën elektronike të klientëve të bankës, këta të fundit udhëzohen me pretekste të ndryshme (auditimi, probleme me organet fiskale) që të ndryshojnë të dhënat e përdorura për transfertat (nr. i IBAN) duke u paraqitur si përfaqësues legjitimë të kompanive, me të cilët ata kanë marrëdhënie biznesi në nivel ndërkombëtar.
Në këto raste, klienti e merr të mirëqenë këtë mesazh dhe kryen pagesën në një llogari tjetër bankare, e cila kontrollohet nga personat e përfshirë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Në momentin kur klienti kontakton me kompaninë përkatëse (për arsye të ndryshme si mosdorëzim malli etj.) kupton që ka qenë viktimë mashtrimi, pa pasur mundësi rikuperimi të fondeve pasi ato tërhiqen menjëherë nga mashtruesit.
Këto skema mashtrimi kanë prekur individë dhe biznese në vendin tonë, të cilët kanë pësuar humbje në vlera të konsiderueshme monetare dhe në këtë kontekst sa herë që konstatohen ndryshime në rrjedhën normale të procesit të pagesave në nivel ndërkombëtare, është e nevojshme që të ketë një komunikim paraprak (me telefon, faks, email) me kompanitë partnere për t’u siguruar që ndryshimet janë bërë për arsye legjitime dhe miratohen prej tyre paraprakisht, përpara se të vijohet me transferimin e vlerave monetare”, thuhet në sqarimin e DPPPP.
Kjo është hera e parë pas shumë kohësh që kjo drejtori bën një sqarim të tillë publik dhe thirrje për kujdes të individëve dhe bizneseve. Edhe tipologjia e mashtrimeve duket të jetë e re, ndërkohë që më herët, në raportin e saj vjetor të vitit 2018, kjo drejtori publikoi një seri tipologjish të tjera.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al