Në këto ditë të nxehta vere, një birrë e ftohtë është një zgjedhje për shumëkënd. Teksa si pije tradicionale kemi rakinë, apo verën, shqiptarët në fakt nuk shquhen për konsumin e birrës, në krahasim me shtetet e tjera të Europës.
Të dhënat e Doganave për importin dhe Ministrisë së Financave për prodhimin vendas, tregojnë se në vitin 2018, në Shqipëri u konsumuan 85 milionë litra birrë, me një rritje prej 2% në raport me vitin e mëparshëm. Prodhimi vendas zinte 49% të totalit (41.7 milionë litra), në 2018-n, nga 55% në 2013-n, si rrjedhojë e stanjacionit të sipërmarrësve vendas dhe rritjes së shpejtë të importeve. Konsumi i birrës për frymë në vit rezulton gati 30 litra, sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, bazuar në importin dhe prodhimin vendas. (Të dhënat zyrtare ndërsa informaliteti në këtë sektor mbetet i lartë).
Konsumi i birrës për frymë në Shqipëri është më pak se gjysma e mesatares europiane dhe ndër të fundit në Europë. Sipas Eurostat, vitin e kaluar u prodhuan më shumë se 39 miliardë litra birrë në Bashkimin Europian (BE). Prodhimi i birrës ishte i barabartë me rreth 76 litra për banor (importet ishin minimale). Për më tepër, në 2018, BE prodhoi më shumë se 1 miliard litra birrë që përmbante më pak se 0.5% alkool, ose nuk kishte fare alkool.
Importi është në nivele të ulëta. Shtetet Anëtare favorizuan birrën meksikane (250 milionë litra, ose 52% të të gjitha importeve për BE-në në 2018), përpara birrës serbe (57 milionë litra, 12%), birrës amerikane (43 milionë litra, 9%), birrës bjelloruse (23 milionë litra, 5%), birrës ukrainase (19 milionë litra, 4%), birrës kineze (17 milionë litra, 4%), birrës ruse (14 milionë litra, 3%) dhe birrës tajlandeze (10 milionë litra, 2%).
Konsumatorët më të mëdhenj të birrës në Europë, por edhe në botë, janë çekët me 138 litra për frymë në vit, sipas të dhënave nga Shoqata Europiane e Birrës “The Brewers of Europe”.
Në vend të dytë janë austriakët, me 102 litra për frymë, të ndjekur nga gjermanët me 101 litra për frymë dhe polakët me 97 litra. Çekët, polakët dhe gjermanët kanë filluar të preferojnë dhe Shqipërinë si një destinacion turistik, duke ndikuar në rritjen e kërkesës për birrë në vend, sipas operatorëve turistikë dhe sipërmarrësve të birrës.
Rumunët dhe kroatët konsumojnë përkatësisht 82 dhe 79 litra birrë për frymë në vit.
Ndërsa vendet fqinje nuk shquhen për përdorues të birrës. Në Greqi, konsumi për frymë është 35 litra për frymë dhe në Itali, 32 litra, pothuajse në të njëjtat nivele si në Shqipëri. Në Serbi konsumi është 60 litra për frymë në vit, në Maqedoni 40 litra. Vendi me konsumin më të ulët për frymë në Europë, rezulton Turqia me 11 litra për frymë në vit.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al