Një burrë i cili ishte dënuar me 73 vite në një burg brazilian, veshi rrobat e vajzës së tij adoleshente, një paruke të gjatë dhe një maskë silikoni të parfumuar, për të mashtruar rojet dhe për të dalë jashtë.
Por ai nuk ia doli dot.
“RT“ shkruan se Clauvino da Silva, 42 vjeç, u ndalua nga rojet e Kompleksit Ndëshkimor të Gericino-s në Rio de Janeiro, ndërsa po bëhej gati të largohej përmes derës së përparme i veshur si e bija.
Inspektorët thuajse e “hëngrën”, por nisën të kishin dyshime për “vajzën” e cila nisi të vepronte me nervozizëm në momentin e fundit.
Ata u befasuan kur zbuluan se vajza e veshur me një palë xhinse blu, një bluzë rozë, një triko gri dhe sandale të bardha, nuk ishte aspak një vajzë, por babai i saj gangster.
Policia ka publikuar një video të da Silva-s, ku shfaqet duke hequr maskën e silikonit nën syrin vigjilent të oficerëve. Ai më pas tregon emrin e tij të plotë në kamera.
Preso, Clauvino da Silva, traficante de Angra dos Reis, foi pego tentando escapar de Bangu 3 com máscara, peruca e roupas femininas | Crédito: Divulgação pic.twitter.com/PyjKRpCydK
— O Globo_Rio (@OGlobo_Rio) August 3, 2019
Incidenti ndodhi të shtunën pasdite, gjatë një vizite nga të afërmit e Silva-s, përfshirë edhe vajzën e tij 19-vjeçare.
Tani policia ka nisur hetimet, të zbulojë nëse sipas planit të Silva, vajza do të qëndronte në qeli në vend të tij. Pra a ishte ajo bashkëpunëtore në komplot.
Policia beson se “pajisjet” e ndërlikuara të përdorura nga Silva në arratisjen e tij të improvizuar u sollën nga një prej vizitorëve, mes të cilëve ishte një grua shtatzënë që nuk ishte kontrolluar.
I njohur si “Baixinho” ose “Shkurtabiqi”, Da Silva ishte ndër anëtarët e vjetër të bandës së trafikut të drogës të Komandës së Kuqe. Kjo nuk është hera e parë që ai ka provuar një arratisje. Në vitin 2013, ai ishte një nga rreth 30 të burgosurit që u largua nga burgu i Vicente Piragibe në Rio, përmes sistemit të kanalizimeve.