Autori i masakrës në Ohio, Connor Bets kur ishte në gjimnaz kishte përgatitur një listë të fshehtë të emrave të djemve që donte të vriste dhe vajzave që donte të përdhunonte.
Një ish-shok i klasës në shkollën e mesme, i cili kërkoi të mos identifikohej për arsye sigurie, kujtoi se ishte thirrur në zyrën e administratorit të shkollës për t’u lajmëruar se ai ishte “numri një” në listën e studentëve që Betts donte të vriste.
Ai tha se lista ishte e ndarë në dy kolona: një “listë vrasjesh” për djem dhe një “listë përdhunimesh” për vajzat.
Një burim tjetër, i cili gjithashtu kërkoi të mos identifikohej, i tha CNN-it se Betts i kishte dërguar mesazhe në lidhje me listën njërës prej shoqeve të tij të klasës, e cila i tha nënës. Nëna e saj më pas njoftoi policinë, e cila erdhi në shkollë dhe intervistoi njerëzit në listë individualisht në zyrën e shkollës.
“Personalisht, u tmerrova”, tha shoqja e klasës, e cila ishte në listë. “Fillova të kisha sulme paniku në ndërtesën e shkollës.”
Një person i katërt, e cila gjithashtu kërkoi të mos identifikohej, tha: “Gjithçka di është se ka patur një listë për veprime të dhunshme me emra, përfshirë edhe emrin tim”.
Ajo tha se disa nga emrat ishin studente femra të cilat, ashtu si ajo kishin refuzuar të dilnin në takim me Betts. Ajo tha se Betts shpesh simulonte të shtëna me studentë të tjerë dhe kërcënonte të vriste veten dhe të tjerët në disa raste.
Ish-shokët e klasës së Betts thanë që ai ishte larguar nga shkolla për të paktën një vit për shkak të kësaj liste, por më vonë u kthye sërish në gjimnazin e Bellbrook.
Jo të gjithë e mbanin mend Betts-in si një adoleshent me probleme. Miku i Betts, Brad Howard e përshkroi sulmuesin si “një fëmijë me të vërtetë i mirë”, i cili ishte i qetë. Howard tha se u rrit me Betts dhe se e njihte atë për mbi 20 vjet. Ai tha se lajmet për aktin e fundit të Betts ishin “një goditje” për komunitetin.
Nga sulmi i së shtunës në Ohio mbetën të vdekur 9 persona dhe u plagosën 26 të tjerë. Mes viktimave, ishte edhe motra e Betts.