Kreu i opozitës Lulzim Basha vijon takimet me strukturat e PD-së në qytete të ndryshme. Sot kryedemokrati është ndalur në Divjakë, nga ku ka përsëritur se nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, 30 qershori është një proces nul dhe kriminal.
“Një proces që është nul dhe kriminal nuk mund të prodhojë asgjë të ligjshme. Shumica dërrmuese e refuzoi dhe shumë nga ata që detyroi me forcë, iu përgjigjën duke i bërë votat të pavlefshme. Vlora 14%, Berati 14%, Durrësi 13.5%, Korça 14%, Shkodra 6%. Refuzimi popullor ka qenë plebishitar. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonje pushteti ne keto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës.”- theksoi zoti Basha.
Sipas Bashës ka vetëm një zgjidhje për krizën politike: “Kjo krizë nuk mbyllet me pazar. Kriza zgjidhet me parime. Parimi i parë është ‘prangat për ata politikanë që kanë vjedhur votat’. Për këtë duhet drejtësi e pavarur, por drejtësi me Ramën kryeministër nuk ka për të patur.” .
“Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Zgjedhje të lira me Hajdutin Psiqik nuk ka. Synimi ynë është largimi i tij, është qeveria tranzitore, është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme. Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat, nuk do të pranojmë kurrë dhunën shtetërore dhe uzurpimin e dhunshëm të pushtetit.”- theksoi kreu i opozitës në takimin me demokratët e Divjakës.