Një shqiptar i arratisur në Itali që në vitin 2015, u arrestua pasditen e së hënës në një hotel në Monterosso.
Mediat italiane shkruajnë se shtetasi shqiptar kishte planifikuar një verë buzë detit në zonën turistike në Cinque Terre, me shpresën për të pushuar pa u vënë re.
Shqiptari ishte i dënuar me burg në mungesë në Itali për krime të ndryshme që nga vjedhjet, tregtimi i drogës dhe plaçkitja. Por shqiptari me inicialet B.A kishte arritur të shpëtonte duke iu “arratisur” drejtësisë italiane.
Ngjarjet datojnë që nga viti 2015, kur B. A. ishte arrestuar në Milano ku jetonte dhe ushtronte veprimtarinë e tij kriminale.
Në atë kohë shqiptari nuk ishte paraqitur kurrë në gjykatë, dhe më pas e kishte bërë veten të padisponueshëm edhe për avokatin e tij, duke shkaktuar humbjen e gjurmëve edhe për ata që e njihnin në brendësi të Milanos.
Ndoshta ai mendoi se katër vjet mungesë nga Italia mund të ishin të mjaftueshme që të harrohej nga drejtësia. Kështu ai nisi pushimet me të dashurën në Cinque Terre.
Mirëpo atje iu nënshtrua një kontrolli rutinë nga policia. Gjatë kontrollit të letrave dhe regjistrimit të bërë në hotel u konstatuan disa parregullsi.
Pas një verifikimi më të hollësishëm, u zbulua e shkuara e tij.
“Unë isha i sigurt se nuk do të më gjenit”, ishin fjalët me të cilat ai iu drejtua karabinierëve në momentin e arrestimit.