Kryebashkiaku Veliaj ka hasur në rivalë seriozë për sa i përket mbjelljes së pemëve.
Në Etiopi, vendi i dytë për nga popullsia në Afrikë me 85 milionë banorë, janë mbjellë para një jave 353 milionë pemë në vetëm 12 orë. Lajmi është publikuar nga ‘CNN’, që shkruan se sipas zyrtarëve etiopianë bëhet fjalë për një rekord botëror.
Aksioni i mbjelljes së pemëve ishte pjesë e fushatës së ripyllëzimit të quajtur ‘Trashëgimia e gjelbër’, e kryesuar nga kryeministri i vendit, Abiy Ahmed.
Miliona etiopianë në të gjithë vendin ishin të ftuar të marrin pjesë në këtë sfidë dhe brenda gjashtë orëve të para, Ahmed shkroi në ‘Twitter’ se ishin mbjellë rreth 150 milion pemë.
“Ne jemi në gjysmën e qëllimit tonë,” tha ai dhe inkurajoi bashkëqytetarët e tij të mos e ndalnin vrullin në kohën e mbetur.
Pasi mbaroi periudha 12-orëshe, kryeministri shkroi sërish në ‘Twitter’ për të njoftuar se Etiopia jo vetëm që përmbushi qëllimin e saj kolektiv, por e tejkaloi atë.
“Janë mbjellë gjithsej 353.633.660 fidanë pemësh’, shkroi ministri i vendit për Inovacion dhe Teknologji, Getahun Mekuria.
Në vitin 2017, India vendosi rekordin botëror, kur rreth 1.5 milion vullnetarë mbollën 66 milionë fidanë në 12 orë.
Veliaj pretendon se vitin e shkuar në Tiranë janë mbjellë më shumë se 120 mijë pemë, ndërsa për këtë vit pretendon se kjo shifër do tejkalohet. /Hashtag.al