Vendosni fjalën kyçe....

Vritet me 15 plumba nëna e këshilltares së Ramush Haradinajt


Vritet me armë zjarri nëna e këshilltares së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj. Mediat në Kosovë bënë të ditur se mbrëmjen e kaluar, Bajram Velija, 61-vjeç, kishte qëlluar me 15 plumba gruan e tij 42-vjecare Armenda Velijaj.

Çifti kishte disa javë që kishin ardhur për pushime në Kosovë nga Zvicra.

Viktima rezulton se është nëna e nënkryetares së AAK-së dhe këshilltares politike të kryeministrit në largim Ramush Haradinaj. Diellza Hotit është edhe kryetare e rinisë në këtë parti.

Lajmin e trishtueshëm e ka konfirmuar dhe vetë Hoti përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Pusho e qetë në paqe mami jem, engjëlli jem”, shkruan Hoti.

Sipas “Gazetës Express”, Bajram Velija pas krimit e ka telefonuar vetë policinë duke rrëfyer ngjarjen.

“Vetë i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë, ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë për gazetën Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi.

E gjithë ngjarja e rëndë ka ndodhur të martën mbrëma në rrugën “Hysni Morina” të Prizrenit. E gjithë ngjarja u pa nga një kalimtar rasti i cili është i vetmi dëshmitar i kësaj ngjarjeje të rënë. Ai pritet që të intervistohet nga zyrtarë të policisë së Kosovës sot gjatë ditës.

Nuk dihet se çfarë e ka shtyrë 61-vjeçarin të kryejë një krim të tillë. Kjo ishte martesa e dytë për çiftin, pasi të dy kanë qenë të martuar më parë dhe kanë fëmijë nga këto martesa. Por nga kjo martesë nuk kanë asnjë fëmijë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *