Një 44-vjeçar shqiptar ka përplasur për vdekje një 14-vjeçar në Greqi. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Lamia.
Sipas mediave greke, pak para orës 10:00 të mbrëmjes, një makinë e drejtuar nga një shtetas shqiptar 44 vjeç u përplas me një grup fëmijësh me biçikleta, duke plagosur rëndë një fëmijë 14-vjeçar, i cili pak më vonë mbërriti i në Repartin e Urgjencës, ku edhe humbi jetën.
Ishin rreth 5 fëmijë në atë grup me biçikleta, që kishin fenerë dhe drita të pasme dhe po lëviznin në rrugën e fshatit Achinou – Karavomylou. Sipas asaj që thuhet, shoferi 44-vjeçar raportohet se i pa fëmijët në minutën e fundit, reagoi për t’i shmangur, por ishte duke lëvizur me shumë shpejtësi.
Ai manovroi për të shmangur biçikletën e parë, por humbi kontrollin dhe goditi të dytën dhe të tretën.
Si rezultat, një nga dy vëllezërit binjakë u plagos rëndë, ndërsa vëllai tjetër binjak dhe një mik i viktimës morën lëndime më të lehta.
Sakaq, sipas mediave viktima ishte djali i një mjeku të njohur në zonën e Lamias. Sakaq, policia ka arrestuar shqiptarin që shkaktoi aksidentin tragjik.