Arrestohet në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim ekstadimi drejt Shqipërisë, 41-vjeçari shqiptar Gentian Doda.
Doda konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për korrupsionin e një gjyqtari, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë në 2017-ën kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Dodën, pasi ai akuzohet se kishte tentuar të korruptonte gjyqtarin, për të lehtësuar pozitën e tij dhe lirimin nga burgu pasi në 2001 Gjykata e Matit e kishte dënuar këtë shtetas me 20 vjet burgim për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
DETAJET E POLICISË
Falë bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe Interpol Manchester, u bë kapja dhe arrestimi në Mbretërinë e Bashkuar, me qëllim ekstadimi drejt Shqipërisë, i një shtetasi të shumëkërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëri e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar G. D., 41 vjeç, lindur në Tiranë.
Shtetasi G. D, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi:
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal nr. 416, datë 10.11.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë” .
Gjithashtu, Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin penal nr. 1249, datë 09.11.2017 ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale të “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi G.D. në bashkëpunim me shtetas të tjerë I ka dhënë një shumë prej 30.000 eurosh gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë (Sh.M.) me qëllim lehtësimin e pozitave të tij dhe lirimin nga burgu për të ndryshuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, e cila me vendimin penal nr. 41, datë 26.01.2001 e kishte dënuar këtë shtetas me 20 vjet burgim për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin penal nr. 896, datë 07.06.2017 ka vendosur lënien në fuqi të vendimin penal nr. 94, datë 20.09.2016 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, duke favorizuar pozitën e shtetasit G. D. dhe lirimin e tij nga burgu.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Manchester, u bë i mundur arrestimi i tij në Mbretërinë e Bashkuar, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.