Pas publikimit të tretë të audiopërgjimeve nga media italiane “La Verita” që tronditën Maqedoninë e Veriut, është thirrur në Prokurorinë Publike, prokurorja Lila Stefanova.
Sipas “Alsat”, Stefanova e cila e udhëheq rastin “Perandoria” të PSP-së, është ftuar për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë Publike për rastin “Reket”. Kjo është konfirmuar nga prokurori publik Lubomir Jovevski.
Stefanova përmendej në audiopërgjimet e publikuara nga “La Verita”. Prokurorja speciale Katica Janeva përpiqej të bindte biznesmenin Jordan (Orce) Kamçevin se ai do të lirohet dhe se Lile Stefanovën e ka nën kontrollin e saj.
Stefanova i mohoi deklaratat e Kamçev dhe Janevës, duke thënë se qëllimi i këtyre audiove është që ta diskreditojnë atë si prokurore.
Hetimin për rastin “Reket” në Prokurorinë Publike e udhëheq prokuroja Vilma Ruskoska.