Policia në Norvegji arrestoi autorin e një sulmi, i cili hapi zjarr në një xhami në Oslo të shtunën, duke lënduar një person që e frenoi atë.
Sipas policisë, personi është një norvegjez në të 20-tat dhe se jeton në afërsi të xhamisë ku e kreu sulmin që po hetohet si një sulm i mundshëm urrejtjeje. Më pas në shtëpinë e tij, u gjet trupi i një gruaje të re. Deri tani i dyshuari ka refuzuar të flasë rreth motieve të sulmit, raporton Zëri i Amerikës.
Kryeministrja norvegjeze Erma Solberg, mori pjesë në lutjet e së dielës në një ambient të improvizuar të një xhamie në një hotel në Oslo, një ditë pas sulmit.
‘Mendoj se duhet të vazhdojmë përpjekjet për të luftuar gjuhën e urrejtjes. Kemi një plan të veçantë veprimi, jo vetëm për islamofobinë por gjithashtu edhe shumë çështje tjera ku kemi gjuhë urrejtjeje. Duhet të punojmë në shkolla, që të rrisim ndjeshmërinë e tyre, të kuptojmë njëri-tjetrin. Më vjen keq ta them, por nëse shoh faqen time në Facebook, nuk janë të rinjtë problem, janë të moshuarit që kanë mendime dhe pikëpamje që janë ekstreme kundër islamit. Ne po mundohemi ta luftojmë këtë, por është e vështirë. Është sfidë jo vetëm për ne, por gjithandej në botë’, tha kryeministrja Solberg.
Një zëdhënës policie tha se i dyshuari jeton në afërsi të xhamisë që e sulmoi.
Policia njofton se personi që u lëndua lehtë nga sulmi në xhami, po përpiqej që ta ndalonte sulmuesin, gjë që edhe e kishte arritur.
75 vjeçari po lexonte Kuranin kur sulmuesi hapi zjarr.
‘Sulmuesi hyri nga dera e pasme. Filloi të gjuante dhe pastaj unë kërceva mbi të. Ia mora pistoletën dhe e hodha. Ai më lëndoi pasi më futi gishtin në sy’.
Pastaj reagoi edhe udhëheqësit fetarë të xhamisë, i cili e mbajti sulmesin të shtrirë në tokë derisa erdhi policia.
‘Unë isha ulur mbi sulmuesin. Pashë bluzën e tij me mbishkrimin NATO. Kishte veshje ushtarake dhe këpucë të zeza. Në rrip kishte shumë plumba. Ishte i përgatitur. Kishte veshur një jelek anti-plumb. Pashë shumë gjak në tokë dhe isha i shqetësuar për heroin tonë, i cili arriti ta pengojë sulmuesin dhe të shpëtojë shumë jetë’, tha njëri nga udhëheqësit e kësaj xhamie, Irfan Mushtaq.
Ai kërkon marrjen e masave që sulme si këto të mos përsëriten dhe thotë se Islami nuk është problem për shoqërinë, ndonëse sot perceptohet si i tillë.
‘Për shumë vite, është thënë se myslimanët janë rreziku më i madh për vendin, por nëse i shikon dy incidentet e fundit terroriste, nuk janë kryer nga myslimanët. Kjo po ndikon në jetët e fëmijëve tanë. Çdo ditë na bien në qafë’, tha njëri nga udhëheqësit e kësaj xhamie, Irfan Mushtaq.
Policia njofton se deri tani, i dyshuari për sulmin ka refuzuar të flasë mbi motivet që e kanë shtyrë të sulmojë në xhami.
Pasditen e së dielës, autoritetet e sigurisë kanë gjetur trupin e një gruaje të re në shtëpinë e tij, por nuk kanë dhënë më shumë hollësi lidhur me këtë.