Mbretëresha ka shprehur zhgënjimin e saj me politikanët e sotëm dhe ‘paaftësinë e tyre për të qeverisur si duhet’.
Monarkja 93-vjeçare mbetet skrupulozisht neutrale në publik, por “Daily Mail” shkruan se ajo u ka shprehur ndihmësve të saj ‘zhgënjimin me klasën aktuale politike’.
Ajo i bëri këto komente në vitin 2016, por ndjenjat e saj janë intensifikuar që prej asaj kohe në mes të trazirave të pafundme politike mbi Brexit, thanë burimet për “The Sunday Times”.
‘Madhëria e saj shprehu irritimin dhe zhgënjimin e saj për cilësinë e udhëheqjes sonë politike dhe se zhgënjimi i saj vetëm po rritet’, tha burimi.
Ndihmësit e mbretëreshës thanë se ishin të befasuar nga toni i saj, duke e përshkruar atë si ‘vërtet të mërzitur’ nga politika.
Ky lajm qarkullon mes paralajmërimeve se Mbretëresha do të detyrohet të futet në arenën politike, në pritje të afatit të Brexit-it më 31 tetor të Britanisë.
Të dy palët kanë kërcënuar të përdorin manovra kushtetuese të papara për të arritur atë që duan.
Sistemi politik në Mbretërinë e Bashkuar mbështetet në mbajtjen jashtë politikës të mbretëreshës, sa më shumë që të jetë e mundur. Në kohët normale, roli i saj do të ishte thjesht mirësjellja dhe mbështetja e vendimeve të qeverisë.