Vendosni fjalën kyçe....

Fluks i madh në Morinë, shqiptarët dynden drejt bregdetit


Radhë kilometrike janë krijuar sot në pikën kufitare të Morinës në Kukës, pasi shumë shqiptarë përtej kufirit janë nisur për pushime drejt bregdetit.

Sipas të dhënave të policisë, që nga ora  tre e mëngjesit të sotëm kanë arritur të hyjnë në Shqipëri 22145 shtetas me 4058 mjete. Kjo situatë ka krijuar vonesa dhe radhë të gjata pritjeje, ndërsa karvani i mjeteve dhe trafiku në Rrugën e Kombit arrin në disa kilometra.

Detajet e policisë:

Fluks i madh, në hyrjen për në Shqipëri, i shtetasve kosovarë. Prej orës 03.00 të mëngjesit kanë  hyrë në RSH, 22145 shtetas me  4058 mjete. Policia Kufitare në Morinë, që prej orëve të mëngjesit ka shtuar sportelet në maksimum dhe po aplikon procedurën e përshpejtuar për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm në hyrje

Gjithashtu Policia Kufitare në Morinë po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi.

Ndërkohë, Policia Rrugore, për të parandaluar aksidentet dhe ndihmuar vargun e pandërprerë të automjeteve që lëvizin në drejtim të Lezhës dhe bregdetit tonë, ka shtuar prezencën e Policisë Rrugore në rrugën e kombit. Për shkak se te ura e Kukësit po kryhen punime, Policia Rrugore ka vendosur shërbim fiks për të ndihmuar qarkullimin e automjeteve në të dyja kahet e lëvizjes. Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos parakalojnë karvanin e gjatë të automjeteve për shkak të fluksit të madh pasi rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës .

Shërbimet e Policisë Rrugore me mjetet logjistike në dispozicion  po monitorojnë trafikun, jo vetëm në Rrugën e Kombit, por në të gjitha akset rrugore, me përparësi akset drejt plazheve të vendit dhe do të ndëshkojnë cilindo drejtues mjeti që do shkelë rregullat e qarkullimit rrugor.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *