Personi i dyshuar për të shtënat brenda një xhamie në Norvegji, nuk po e pranon krimin dhe nuk po flet me hetuesit, tha avokati i tij. “Ai po ushtron të drejtën e tij për të mos u marrë në pyetje”, tha avokati, Unni Fries.
Gjykata pritet të vendosë, të hënën, për kërkesën e policisë që të caktojë masën e ndalimit disa javëshe për 21 vjeçarin. Gjatë sulmit që ndodhi të dielën, një person që ishte i pranishëm në xhami ka arritur ta ndalojë sulmuesin, duke pësuar disa lëndime.
Më vonë, një grua u gjet e vdekur në shtëpinë e të dyshuarit. Viktima dyshohet se ishte e afërt me sulmuesin.