Vendosni fjalën kyçe....

Dështon projekti për internet në shkolla, vetëm 5% e kanë, rajoni mbi 90%


Projekti i qeverisë për të pajisur shkollat publike me internet duket se ka dështuar teksa të dhënat nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal tregojnë se vetëm 4.8 për qind e shkollave në Shqipëri kishin internet në vitin 2018, ndërsa në Rajon kjo përqindje është shumë e lartë.

Në Malin e Zi 100 për qind e shkollave kanë internet, ndërsa 99.2 për qind e shkollave në Serbi kanë gjithashtu internet.

Vendet e tjera të Rajonit të përfshira në bllokun e zgjerimit të BE, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova kanë internet në 25.7, 88.4 dhe 88 për qind të shkollave publike përkatësisht.

Por për shumicën e shkollave në vend, ku mungon ende infrastruktura bazë si ngrohja dhe pajisjet e tjera, interneti mbetet ende luks. Ka më shumë se një dekade kur u mor nisma për të pajisur shkollat me internet, por kjo nuk është mundësuar as për shkollat e Tiranës.

Madje ka dështuar edhe projekti “online education” që u prezantua katër vite në parë ku do të eksperimentohej mësimi online për disa shkolla në Tiranë.

Klasat dixhitale nuk kanë mundur të funksionojnë për arsye qëlidhen me mungesën e kapaciteteve të mësuesve për të përballuar këtë eksperiment.

Në fund të vitit 2013 ministria e arsimit e kohës njoftoi se do të shpërndahej tablet në 100 e shkolla për të mësuar në internet, shumica e të cilave u dhuruan nga kompanitë Infosoft dhe Microsoft.

Projekti u pilotua në disa shkolla në Tiranë, por përdorimi i tabletave ka zgjatur vetëm pak ditë. Teksa Shqipëria vijon të ushtrojë mësimdhënien sipas metodave tradicionale dhe duke mbetur larg metodave bashkëkohore të arsimit.

Shkolla shqiptare edhe në këtë aspekt ka mbetur prapa zhvillime shoqërore reale, pasi interneti dhe teknologjia tashmë janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë.

Tregu i punës përveç aftësive tradicionale në fusha të caktuara kërkon edhe njohuri të larta në teknologji.

Por zhvillimet e vrullshme demografike që kanë shpopulluar zonat rurale dhe kanë përqendruar nxënësit në zonat e urbane e kanë lehtësuar punën për institucionet qeveritare që të përqendrojnë qasjen ndaj teknologjisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *