Vendosni fjalën kyçe....

Protestat në Hong Kong, bllokohen fluturimet


Të gjitha fluturimet që nisen nga aeroporti ndërkombëtar i Hong Kongut janë anuluar të martën për të dytën ditë me radhë, pasi demonstruesit pro-demokracisë morën përsëri nën kontroll terminalin kryesor të objektit.

Vendimi i autoritetit të aeroportit u mor pak minuta pasi pezulloi të gjitha shërbimet e kontrollit të udhëtarëve, kur protestuesit nuk i lejuan pasagjerët të hynin në portat e nisjes dhe këshilluan njerëzit të mos vinin në aeroport.

Aeroporti ishte duke u përpjekur të kthehej në gjendje normale dhe ishte rihapur pas anulimit të qindra fluturimeve për shkak të një demonstrate të ngjashme. Disa udhëtarë të zemëruar që mezi prisnin të largoheshin nga Hong Kongu u grindën me protestuesit ndërsa demonstratat e së martës po shkallëzoheshin, raporton Zëri i Amerikës.

Mbyllja e paprecedent e njërit prej aeroporteve më të ngarkuar të botës erdhi si shtrirje e protestave në rrugë që kanë përfshirë këtë territor kinez prej më shumë se dy muajsh. Të hënën, dhjetra protestues u plagosën, pasi policia përdori gaz lotsjellës dhe municion jo-vdekjeprurës kur protestuesit bllokuan rrugët dhe kundërshtuan urdhrat e policisë për t’u shpërndarë.

Reagime kundër dhunës në protesta

Protestat në Hong Kong kanë nxitur reagime nga Shtetet e Bashkuara që kërkojnë nga palët të distancohen nga dhuna. Ndërkohë Kanadaja ka paralajmëruar Kinën që të jetë e kujdesshme në mënyrën se si trajtohen protestuesit. Këto thirrje vijnë pasi mijëra protestues kanë penguar fluturimet në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut. Situata shkaktoi përleshje mes demonstruesve dhe policisë. Kjo është java e dhjetë që kur nisën protestat mbi një projektligj që do t’i mundësonte Kinës të ekstradojë nga Hong Kongu persona të dyshuar për vepra penale. Demonstruesit këtë e shohin si shtrirje të ndikimit kinez në qytet. Edhe pse projektligj është pezulluar, protestat vazhdojnë me kërkesën për më shumë demokraci.

Ashpërsohen edhe më shumë përpjekjet e policisë në Hong Kong, për të shtypur protestat që tashmë kanë hyrë në javën e dhjetë.

Kjo si kundërpërgjigje ndaj bllokimit që demonstruesit i bënë aeroportit nëdrkombëtar, duke paralizuar trafikun ajror.

Disa qytetarë kërkuan ndihmën amerikane.

“Mendoj se ata duan të marrin vëmendjen e amerikanëve dhe po kërkojnë ndihmë nga disa shoqata që mbrojnë të drejtat e njeriut në Amerikë”, tha një protestuese e maskuar.

“I mbajnë këta flamuj që të kërkojnë ndihmë nga amerikanët. SHBA-të përfaqësojnë lirinë, mendoj se kjo është arsyeja”, tha një protestuese tjetër poashtu në kushte anonimiteti.

Deri tash, Presidenti Trump ka minimizuar rolin e SHBA-së në këtë situatë.

“Çështja i takon Hong Kongut dhe Kinës, sepse Hong Kongu është pjesë e Kinës. Duhet të përballen vetë, nuk kanë nevojë për këshilla”, thotë Presidenti Trump.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan, ka kërkuar nga palët të distancohen nga dhuna dhe që të respektohen pikëpamjet e ndryshme politike.

Ndërkohë, udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnel ka shkruar në Twitter se mbështet popullin e Hong Kongut dhe se masat e dhunshme janë të papranueshme.

Dallimet në reagime të zyrtarëve të lartë të Shteteve të Bashkuara janë kritikuar nga artisti i përndjekur nga Kina, Ai WeiWei.

“Ata duhet të mbështesin lirinë dhe demokracinë dhe lirinë e fjalës. Është e rëndësishëme se çfarë sinjali i jep një superfuqi një shoqërie autoritare. Do të kushtoj me më shumë jetë dhe gjakë”, tha artisti disident nga Kina, Ai Weiwei.

Në protestat që filluan kundër një projektligji të ekstradimeve që tashmë është pezulluar, kërkohet më shumë demokraci dhe marrje të përgjegjësisë për dhunën që policia përdori për të shtypur këto demonstrata.

Nga ana tjetër, autoritetet në Pekin nuk japin shenja të tërheqjes, dhe u referohen protestave si terrorizëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *