Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të dokumenteve të PD-së për Valdrin Pjetrin.
Nëpërmjet tre postimeve në Twitter, Rama ka deklaruar se derisa e vërteta ligjore të dalë Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara.
“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar ,po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”-shkruan Rama.
Rama gjithashtu është shprehur se asnjë nuk mund të hedhë hije dyshimi mbi PSnë qoftë Valdrini apo edhe vëllai i tij.
“Jo Valdrini,po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!”- shkruan Kryeministri.
Rama në fund jep edhe një mesazh për të gjithë të tjerët që mund të kenë probleme me ligjin duke theksuar se s’ka ndërmend të tolerojë askënd.
“E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS!”-theksoi kreu i qeverisë.