Me dhjetëra hektarë pyje janë djegur në Parkun Kombëtar Korab-Koritnik. Sikurse shkruan “Ora News” zjarri ka rënë mbrëmjen e së martës në njësinë administrative Zapod, në një nga zonat e mbrojtura.
Për të shuar flakët kanë ndërhyrë efektivët e shërbimit zjarrfikës të bashkisë, agjensia kombëtare e zonave të mbrojtura dhe banorë të zonës të cilët kanë punuar për disa orë për izolimin e zjarrit.
Mirëpo terreni i thyer malor, e ka vështirësuar punën dhe të angazhuarit me shuarjen e flakëve u është dashur të ecin në këmbë për disa orë.
Megjithatë pas ndërhyrjes vatrat e zjarrit u izoluan duke shpëtuar kështu nga djegia sipërfaqet e Parkut Kombëtar, i cili ka shumë vlera për rajonin e Kukësit.
Dy raste të tjera janë shënuar në territorin e bashkisë së Kukësit ditët e fundit dhe bashkia ka ripërsëritur thirrjen për banorët e çdo zone që të njoftojnë në kohë për çdo rast të rënies së zjarreve.
Po ashtu edhe në Kolonjë raportohet se janë djegur me dhjetëra hektarë pyje e kullota. Flakët kanë përfshirë bimësinë e ulët si dushku dhe pisha në fshatin Boshaj.
Deri më tani janë djegur rreth 15 ha pyje dhe kullota.