Vendosni fjalën kyçe....

PD letër prokurorisë, kërkon informacione për hetimin ndaj Valdrin Pjetrit


Partia Demokratike i ka kërkuar informacione Prokurorisë lidhur me verifikimet që po bën për pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit pas publikimit të dokumenteve italiane ku rezultonte i dënuar.

Partia Demokratike i dërgoi prokurorisë të dhënat konkrete që ajo publikoi një ditë më parë për dënimin e Valdrin Pjetrit për trafik droge në Itali. Në një letër të Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, vihet në dukje se 13 ditë pas kërkesës së PD për verifikimin e Pjetrit sipas ligjit të dekriminalizimit, nga prokuroria nuk ka pasur një reagim institucional të shpejtë.

“Për fat të keq, ky reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit.” – thuhet në komunikimin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD me Prokurorinë e Përgjithshme, duke i vënë në dispozicion informacionin që posedon për Valdrin Pjetrin. “Sipas këtyre të dhënave rezulton se Valdrin Pjetri është i dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim.”- shkruan Bardhi.

Për shkak të vonesës gati dyjavore të prokurorisë, PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi.

“Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *