Vendosni fjalën kyçe....

Laburistët do kërkojnë mocion mosbesimi ndaj Boris Johnson


Kreu i Partisë Laburiste britanike, Jeremy Corbyn kërkon të rrëzojë me votë mosbesimi kryeministrin aktual britanik, Boris Johnson, për të penguar kështu në minutën e fundit një Brexit pa marrëveshje.

Në një letër drejtuar krerëve të partive opozitare dhe disa deputetëve me influencë të konservatorëve, ai kërkon që të mbështetet një qeveri e përkohshme nën drejtimin e tij. Kjo qeveri do të kërkojë menjëherë zgjedhje të parakohshme dhe një referendum të dytë për daljen nga Bashkimi Europian, shkruan ai.

Shumica e politikanëve britanikë kërkojnë një dalje me marrëveshje nga BE. Kreu i socialdemokratëve britanikë, sipas raportimeve, pret që në krah të tij të dalin edhe shumë kritikë të tij, po qe se koha e tij si kryeministër do të ishte e kufizuar.

“Prioriteti ynë duhet të jetë, që të punojmë së bashku në parlament, që të pengojmë një Brexit –pa marrëveshje”, thuhet në letrën e Corbyn.

Sipas tij nga vota Jo e britanikëve në vitin 2016, nuk lexohet ndonjë mandat për një dalje pa marrëveshje.

“Prandaj planifikoj që të kërkojmë një votë mosbesimi, në momentin që do të jemi të sigurtë për një sukses të saj”.

Nëse vërtet vota e mosbesimit arrihet në parlament dhe ka sukses, atëherë kreu i mandatuar i qeverisë ka dy javë kohë të krijojë një qeveri të re. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë automatikisht kalohet në zgjedhje të parakohshme. Por ato nuk mund të zhvilloheshin dot para datës 31 tetor, që Boris Johnson e parashikon si datë të daljes nga BE edhe pa marrëveshje në rast nevoje.

Nga ana tjetër nuk është e sigurt, nëse propozimi i Corbyn arrin të mbledhë përkrahës aq sa duhet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *