Shqipëria renditet ndër vendet me normën më të lartë të vrasjeve krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Sipas të dhënave që ka publikuar Eurostat, norma mesatare e vrasjeve për 100 mijë banorë është 0.6 në 2016-n, ndërsa në Shqipëri kjo normë sipas përllogaritjeve të Monitor, bazuar në të dhënat e publikuara nga INSTAT kishte 3.5 vrasje për 100 mijë banorë.
Shqipëria renditet pas vendeve si Letonia me një normë prej 4.6 vrasje për 100 mijë banorë dhe Lituania me 3.6 vrasje për 100 mijë banorë. Nga të dhënat e publikuara nga Eurostat, norma e vrasjeve në raport me popullsinë është më e lartë në vendet e lindjes.
Kështu pas Shqipërisë renditet Estonia me 2.7 vrasje, Rumania me 1.6, Qipro me 1.3, Kroacia me 1.2. Ndërsa norma më e ulët është regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar me 0.1 vrasje për 100 mijë banorë.
Eurostat përllogarit që norma e vrasjeve ka ardhur në rënie prej vitit 2002. Në 2016 numri total i vrasjeve në të gjithë Bashkimin Europian ishte 3300, ku pjesa më e madhe e viktimave (65% ) ishin meshkuj.
Edhe në Shqipëri, vitet e fundit norma e vrasjeve ka qenë në ulje. Norma e vrasjeve për vitin 2017 dhe 2018 qëndron në nivelin 2.3 vrasjeve për 100 mijë banorë. Megjithatë për dy vitet e fundit nuk janë publikuar ende të gjitha të dhëna për shtetet e BE-së në mënyrë që të bëhet krahasimi.
Shqipëria me vrasjet më të larta nga partnerët intimë në Europë
Ndërkohë sipas një raporti të UNODC, Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë në Europë. E dhëna është publikuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Krimet dhe Drogën (UNODC), në një raport të fundit të saj “Studimi global për vrasjet e lidhura me gjininë për gratë dhe vajzat”.
Sipas grafikëve të publikuar në këtë raport, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të vrasjeve nga partnerët intimë, me 0.7 vrasje për 100 mijë gra, sipas të dhënave që i referohen vitit 2016. Ky është niveli më i lartë në Europë. Pjesa më e madhe e vrasjeve të grave në Shqipëri kryhen pikërisht nga partnerët e tyre (në total vrasjet e grave janë 1 për 100 mijë).
Pas Shqipërisë, në vend të dytë është Islanda, me 0.6 vrasje për 100 mijë gra, e ndjekur nga Kroacia (0.5), Lituania (0.5), Finlanda (0.4) dhe Zvicra (0.4).
Në Europë, vrasjet më të larta të grave janë në Lituani me 2.9 për 100 mijë gra, 0.5 prej të cilave nga partnerët intimë.
Sipas raportit të UNODC, vrasja përfaqëson formën më ekstreme të dhunës ndaj grave. Siç tregon ky hulumtim, vrasjet e lidhura me gjininë e grave dhe vajzave mbeten një problem serioz nëpër rajone, në vendet e pasura dhe të varfra. Ndërsa shumica dërrmuese e viktimave të vrasjeve janë burra, të vrarë nga të panjohur, gratë kanë më shumë gjasa të vdesin në duart e dikujt që e njohin.
Gratë e vrara nga partnerët intimë ose anëtarët e familjes përbëjnë 58 për qind të të gjitha vrasjeve femra nga viktimat e raportuara globalisht vitin e kaluar, dhe pak përparim është bërë në parandalimin e vrasjeve të tilla.
VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e Monitor.al