Reali do ta nisë sezonin e ri pa Eden Hazard, blerjen më të madhe të verës dhe ndoshta, i vetmi që zë vend në 11-shen aktualisht te Los Blancos, edhe pse Zizu ka shpenzuar 300 milionë euro.
U fol shumë se Reali do të bëjë revolucion, për çka me të vërtetë kishte nevojë pas triumfit të trefishtë në Champions League. Madje vet Zidane insistonte “do të bëjmë ndryshime”.
Por, 90 ditë pas, Real Madridi i Zinedine Zidane do të jetë pothuajse i njëjti, pavarësisht çmendurisë në merkato, që ka shpenzuar mbi 300 milionë euro.
Të shtunën kundër Celta Vigos (17 gusht 2019), Reali do të jetë pa blerjen më të madhe të verës, Eden Hazard dhe po ashtu pa Ferland Mendyn, që u ble për 50 milionë euro – edhe pse ky i fundit vështirë se do ta zërë ndonjëherë vendin e të preferuarit të Zizus, Marcelo.
Blerja tjetër në mbrojtjeje është Militao, por edhe ai vështirë se do të ketë minuta para kampionit të botës, Raphael Varane e një ndër mbrojtësve më të mirë në histori dhe kapitenit, Sergio Ramos.
Reali shpenzoi 100 milionë euro në mbrojtje për bankën rezervë, pasi si Militao ashtu edhe Mendy, pritet të përdoren vetëm për rrotacione dhe kur Zizu dëshiron t’i pushojë të preferuarit e tij.
Mesfusha është pjesa ku Reali nuk ka investuar ende, derisa ka larguar dy; Marcos Llorente e Dani Ceballos, ndërsa sa i përket sulmit, pa Eden Hazardin, mbetet Luka Jovic lojtari i vetëm nga ardhjet e reja që mund të luajë të shtunën nga minuta e parë në mungesë të belgut, edhe pse raportohet se Zidane do t’ia japë një shans të rikthyerit nga huazimi, James Rodriguez, e ndoshta edhe Gareth Bale, për të cilët sot tha “llogaris në ta si në gjithë lojtarët tjerë. James po punon shumë, është në formë, jam i lumtur për të”.